Deklarata e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kundër ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ka nxitur reagime nga përfaqësuesit e partive parlamentare pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Nënkryetarja e Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku, ka thënë se mospajtimet me partnerët ndërkombëtarë janë të natyrshme, ndërsa theksoi se Kosova duhet t'ia sqarojë BE-së qëllimin e ndryshimeve ligjore: “Është normale që ndonjëherë me miqtë të kemi mospajtime [...] Kosova me ligj dhe vullnet kërkon drejtësi. Ne nuk po kërkojmë t’i ikim drejtësisë, përkundrazi po synojmë që procesin e devijuar dhe deformuar ta kthejmë në binarë të drejtë”.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Besnik Tahiri, e ka cilësuar reagimin e Marta Kos si vazhdim të qëndrimit të BE-së, duke theksuar se Kuvendi do të angazhohet për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë: “Ajo çka mund të them rreth reagimit të komisioneres Kos është thjesht një reagim i Bashkimit Evropian në vazhdimësi të asaj që ka ndodhur me deklaratën e BE-së. Kuvendi ka miratuar një ligj, ne zotohemi që si Kuvend të bëjmë gjithçka që është e mundshme për t’i mbështetur katër çlirimtarët në Hagë”.
Rezerva për mënyrën e adresimit të kësaj çështjeje përmes projektligjit ka shprehur edhe LVV-ja. Shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, ka theksuar nevojën për koordinim institucional dhe strategji shtetërore për fazën e Apelit: “Ne kemi shprehur rezervat tona në raport me adresimin e këtyre çështjeve me projektligj. Gjithsesi, ne u kemi dhënë mbështetje deputetëve që kanë besuar se është rruga e duhur”.
Ndryshimet u propozuan nga Partia Demokratike e Kosovës, vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, kur Dhomat e Specializuara dënuan katër ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, me me gjithsej 81 vjet burgim. (A2 Televizion)