"Kujdes me armët që i jepni Tajvanit", zbardhet telefonata Xi - Trump

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2026, 08:24 | Bota

"Kujdes me armët që i jepni Tajvanit", zbardhet telefonata

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të tregohen “të kujdesshme” në furnizimin me armë të Tajvanit, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të mërkurën.

Sipas mediave shtetërore kineze, Xi e ka cilësuar çështjen e Tajvanit si “problemin më të rëndësishëm” në marrëdhëniet Kinë–SHBA, duke theksuar se Pekini e konsideron ishullin si pjesë të territorit të tij dhe është i vendosur të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, përcjell A2 CNN.

Nga ana e tij, Trump e përshkroi bisedën si “të shkëlqyer” dhe “të gjatë e të thelluar”, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të mira personale dhe institucionale mes dy vendeve.

Ai bëri të ditur se u diskutuan edhe tema të tjera si lufta në Ukrainë, situata në Iran, si dhe tregtia dypalëshe, përfshirë mundësinë që Kina të rrisë blerjen e sojës amerikane.

SHBA-të, ndonëse kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Pekinin dhe jo me Tajvanin, mbeten aleati më i rëndësishëm i ishullit dhe furnizuesi kryesor i tij me armë.

Në dhjetor, administrata Trump miratoi një paketë të madhe armatimesh për Tajvanin, veprim që u kritikua ashpër nga Kina. Xi theksoi se, me respekt të ndërsjellë dhe barazi, dy palët mund të gjejnë mënyra për të adresuar shqetësimet e njëra-tjetrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos