“Nuk dorëhiqem, qeveritë ndryshohen me zgjedhje!” Rama për Reuters: Gati të flas me studentët por nuk do të lejoj që dhuna…

Nga Rosalba Bejdo
15 Tetor 2026, 14:49 | Politikë

Qeveritë ndryshohen vetëm përmes zgjedhjeve demokratike! Kështu tha kryeministri Edi Rama në një reagim për agjencinë e lajmeve Reuters, teksa e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet mes protestave të dhunshme që po zhvillohen prej 3 ditësh. Në një përgjigje të shkruar për agjencinë britanike të lajmeve, kreu i ekzekutivit shqiptar theksoi se përgjegjësia e tij është të çojë Shqipërinë përpara drejt bashkimit europian.

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne zhvilluam zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion. Përgjegjësia ime është të dëgjoj qytetarët, t’u përgjigjem shqetësimeve të tyre legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. Çdo alternativë tjetër do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve, të cilët më besuan një mandat të fortë për të përmbyllur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”

Rama u shpreh i gatshëm për të diskutuar rritjen e kostos së arsimit, por shtoi se sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi I pronës private dhe kërcënimi i sigurisë publike, nuk kanë të bëjnë aspak me kërkesat legjitime të studentëve.

“Korrupsioni duhet luftuar dhe, siç ka rikonfirmuar së fundmi edhe vetë Bashkimi Evropian, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më pare. Ndoshta ka forca, brenda dhe jashtë vendit, që nuk duan që Shqipëria të ketë sukses në rrugën e saj si pararendëse drejt anëtarësimit në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna të pengojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.”

Reuters i cilëson protestat si sfidën më të madhe deri më tani kundër Edi Ramës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos