Gjermania nuk do të dërgojë ushtarë, nëse një mision ndërkombëtar do të sigurojë paqen në Rripin e Gazës. Por qeveria synon të përfshihet në rindërtim dhe të organizojë një konferencë me Egjiptin.
Të hënën , Kancelari Friedrich Merz (CDU) nuk e humbi rastin të udhëtonte për në vendpushimin egjiptian Sharm El Sheikh në takimin e nivelit të lartë me më shumë se 20 krerë shtetesh dhe qeverish. Merz ishte aty vetëm për disa orë, kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi një marrëveshje mbi një paqe të mundshme në Lindjen e Mesme me krerët e shteteve të Egjiptit, Turqisë dhe Katarit. Dhe për një foto të shpejtë me Presidentin e SHBA-së.
Kancelari gjerman bëri edhe një deklaratë të shkurtër për gazetarët për të bërë të qartë rolin e Gjermanisë në formësimin e së ardhmes në Rripin e shkatërruar të Gazës. Një rol i mundshëm, duhet thënë, sepse shumica e detajeve të planit të paqes prej 20 pikash të Trump janë ende të paqarta. Edhe më parë, para lirimit të suksesshëm të pengjeve të fundit izraelite të mbetur gjallë në Rripin e Gazës, Merz e kishte bërë të qartë se Gjermania nuk kishte plane për të vendosur ushtarë gjermanë, për shembull si pjesë e një misioni ndërkombëtar stabilizimi.
Ideja që ushtarët gjermanë mund të përballen me ushtarë izraelitë në një moment në të ardhmen është një përfytyrim i tmerrshëm për shumë politikanë gjermanë, sado teorik që mund të jetë. Në vend të kësaj, Merz tha: "Gjermania do të bëjë pjesën e saj. Dhe mbi të gjitha, ne e shohim detyrimin humanitar për të bërë gjithçka në ditët dhe javët në vijim për të siguruar që njerëzve që ende jetojnë atje t'u ofrohet kujdes mjekësor në mënyrë adekuate." Njerëzit në Gazë tani kanë nevojë, mbi të gjitha, për një strehë mbi kokë, ujë dhe ndihmë mjekësore.
Ndihmat e ngrira për rindërtimin
Edhe para se të bëhej e qartë se plani i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po merrte formë të paktën në fazat e tij fillestare, filloi një debat i fortë në Berlin rreth asaj se me çfarë do të kontribuonte qeveria gjermane. Merz kishte premtuar tashmë 29 milionë euro shtesë për ndihmë të menjëhershme humanitare gjatë fundjavës. Një shumë mjaft e vogël, duke marrë parasysh nevojat.
Të dielën në mbrëmje, Ministrja Federale e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan (SPD), njoftoi se Gjermania mund të ofronte patjetër një shumë treshifrore milionëshe për rindërtimin në Gaza. Paratë janë të disponueshme, vazhdoi politikanja e SPD-së, dhe shumë programe janë ngrirë që nga sulmi i grupit terrorist islamist Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, rreth dy vjet më parë. Por një zëdhënës i ministres nuk ishte në gjendje të thoshte saktësisht se sa do të ishte shuma të hënën. Qeveria tani synon të dërgojë 50 strehimore të përkohshme për rreth 350 persona në Gaza.
Konferencë donatorësh, me gjasë në Kajro
Një gjë është e qartë: Gjermania, së bashku me Egjiptin, ndoshta që në javët e ardhshme në Kajro do të organizojnë një konferencë donatorësh për Gazën. Edhe për këtë ishte rënë dakord që para lirimit të pengjeve, por tani natyrisht që kjo temë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Qeveria egjiptiane paraqiti një plan javë më parë për rindërtimin e brezit bregdetar të shkatërruar në Mesdhe, duke përmendur një shumë prej rreth 53 miliardë dollarësh. Paratë do të vijnë nga shumë burime: nga shtetet arabe dhe evropiane, por jo nga SHBA-të. Donald Trump e bëri të qartë këtë gjatë vizitës së tij në Izrael.
Grindje për furnizimin e Izraelit me armë
Ka debate brenda koalicionit qeverisës të konservatorëve dhe socialdemokratëve në Gjermani në lidhje me furnizimet me armë për Izraelin, megjithëse ka ende paqartësi e pasiguri për disa pjesë të planit të paqes, si psh., çarmatosja e grupit terrorist islamist të Hamasit. Partia simotër bavareze e CDU-së, CSU, më e vogla nga tre partnerët e koalicionit, i bëri thirrje kancelarit Merz pas lirimit të pengjeve që t'i jepte fund të gjitha sanksioneve dhe kufizimeve kundër Izraelit.
"Sanksionet duhet të hiqen, kufizimet e dorëzimit duhet të hiqen, paralajmërimi për udhëtim duhet të hiqet - dhe e gjitha kjo menjëherë", tha kreu i grupit të anëtarëve të Bundestagut CSU, Alexander Hoffmann për gazetën më të madhe të Gjermanisë, "Bild", të martën. Kryetari i partisë CSU, Markus Söder, gjithashtu dëshiron të rifillojë furnizimet me armë për Izraelin.
Më 8 gusht, Merz kishte vendosur që të mos lejoheshin më dërgesa armësh në Izrael që mund të përdoreshin edhe në Gaza. Arsyeja në atë kohë ishte veprimet e ashpra të ushtrisë izraelite, përfshirë edhe kundër popullsisë civile palestineze.
Deputeti i CDU-së, Steffen Bilger, e tha këtë disi në formë më të zbutur, se nëse zhvillimi paqësor ishte i qëndrueshëm, mund të merrej në konsideratë një rifillim i dërgesave të armëve. Sipas raportimeve në Berlin, Merz është në favor të ruajtjes së ndalimit të eksportit për momentin, për sa kohë që situata mbetet kaq e paqartë. Edhe Socialdemokratët janë në anën e tij për këtë çështje.
Merz kërkon të ketë sa më shpejt struktura të qarta në Rripin e Gazës
Si fillim Kancelari Merz dëshiron të sigurojë që të shfrytëzohet momenti pozitiv aktualisht pas lirimit të pengjeve dhe armëpushimit. Duhet të ketë shpejt qartësi mbi çështjet e mbetura, siç është vendosja e saktë e kontrollit ndërkombëtar mbi Rripin e Gazës, tha Merz gjatë një vizite në landin e Brandenburgut të martën në kryeqytetin e shtetit, Potsdam.
"Nuk dua të jem përsëri në të njëjtin grup pas gjashtë muajsh dhe të na duhet të pyesim veten: 'Çfarë shkoi keq?' Kjo nuk duhet të ndodhë." Ndoshta Merz mund të ketë pasur parasysh me këtë shqetësimin kryesor të të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë: frikën se çarmatimi i premtuar i Hamasit nuk do të ketë sukses. (A2 Televizion)