Lufta e Kaukazit përndjek Rusinë, duhet t'i paguajë Gjeorgjisë 253 milionë euro kompensim

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 09:07 | Bota

Lufta e Kaukazit përndjek Rusinë, duhet t'i paguajë

Rusia duhet t'i paguajë Gjeorgjisë më shumë se 253 milionë euro kompensim për dëmet gjatë Luftës së Kaukazit. Megjithatë nuk dihet nëse Moska do ta zbatojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut për Drejtat e Njeriut.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg e dënoi Rusinë duke vendosur që ajo t'i paguajë Gjeorgjisë më shumë se 253 milionë euro kompensim. Gjykata deklaroi se dënimi lidhet me veprimet e Rusisë në vijat kufitare midis territoreve të kontrolluara nga Gjeorgjia dhe rajoneve të Abkhazisë dhe të Osetisë së Jugut, të cilat u mbështetën nga Rusia pas Luftës së Kaukazit të vitit 2008.

Pas luftës Moska i njohu ato rajone si shtete të pavarura dhe vendosi mijëra trupa atje. GJEDNJ deklaroi se ekzistonte një sistem shkeljesh të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër të tjera përdorimi i tepërt i forcës, burgosjet e paligjshme dhe kufizimet e lirisë së lëvizjes. Më shumë se 29.000 vetë kanë vuajtuar si rezultat i vendosjes së vijave kufitare.

Gjyqtarët e Strasburgut kishin arritur në konstatimin për shkeljet e të drejtave të njeriut në një vendim të vitit të kaluar. Ata tani përcaktuan shumën e pagesës së kompensimit. Vendimi nuk ka marrë ende formë përfundimtare dhe palët në proces mund ta apelojnë vendimin brenda tre muajsh.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e kishte dënuar edhe më parë Rusinë në lidhje me konfliktin në Kaukazin e Jugut. Gjykata ia ka lënë në dorë qeverisë gjeorgjiane që të krijojë një mekanizëm shpërndarjen e kompensimeve tek viktimat. Megjithatë nuk ka gjasa që Gjeorgjia të marrë ndonjë kompensim nga Rusia, sepse ajo nuk i njeh vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për shkak të luftës së agresionit kundër Ukrainës, Rusia u përjashtua nga Këshilli i Evropës në vitin 2022 dhe nuk është më anëtare e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Megjithatë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila kujdeset për respektimin e Konventës, mund të vazhdojë të vendosë për ngjarje që kanë ndodhur deri në gjashtë muaj pas përjashtimit të Rusisë. Këshilli i Evropës, Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata janë të pavarura nga BE-ja./DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos