Kush është Eyal Zamir, gjenerali "rebel" që i tha jo "Bibit" për pushtimin e Gazës?

Nga A2 CNN
9 Gusht 2025, 16:16 | Bota

Kush është Eyal Zamir, gjenerali "rebel" që i tha jo

Plani i  kryeministrit Benjamin Netanyahu për të pushtuar Gazën shqetëson jo vetëm bashkësinë ndërkombëtare, por edhe udhëheqjen e Forcave Mbrojtëse të Izraelit. Kryesor midis tyre është Shefi i Shtabit të IDF-së, Gjeneral-lejtnant Eyal Zamir, i cili ka paralajmëruar se çdo pushtim i Rripit do të rrezikonte ta fuste Izraelin në një "vrimë të zezë" të kryengritjes së zgjatur, përgjegjësive humanitare dhe rrezikut në rritje për pengjet.

Por kush është Zamir, i cili aktualisht konsiderohet "armiku i parë vendas" i Netanyahut?

Studimet dhe karriera ushtarake

I lindur më 26 janar 1966, në Eilat, skaji më jugor i Izraelit me pamje nga Deti i Kuq, Zamir studioi shkenca politike në Universitetin e Tel Avivit dhe më pas u specializua në sigurinë kombëtare në Universitetin e Haifës. Pasi ndoqi akademinë ushtarake në Tel Aviv, ai filloi të shërbente në IDF, Forcat Mbrojtëse të Izraelit, në vitin 1984. Që andej, ai filloi ngritjen e tij të ngadaltë në pushtet, duke u bërë kreu i Komandës Jugore të IDF, sekretar ushtarak i kryeministrit dhe zëvendësshef i shtabit.

Në vitin 2023, ai u emërua drejtor i Ministrisë së Mbrojtjes nga ministri i atëhershëm Yoav Gallant, i cili mbeti në detyrë deri në nëntor 2024 pas muajsh "turbulencash" të rënda me Netanyahun. Pas largimit të Gallant, Zamir njoftoi qëllimin e tij për të dhënë dorëheqjen, por u bind të qëndronte nga Israel Katz, Ministri i ri (dhe aktual) i Mbrojtjes.

Në krye të IDF-së

Në mars të vitit 2025, Zamiri fitues i dy medaljeve për dy luftën u emërua Shef i Shtabit të IDF-së për të zëvendësuar Herzi Halevi-n, i cili la postin pasi mori përgjegjësinë e plotë për dështimin e 7 tetorit 2023, ditën kur Hamasi pushtoi territorin izraelit, duke vrarë 1,200 njerëz – civilë dhe ushtarë izraelitë – dhe duke rrëmbyer  250 të tjerë, përfshirë fëmijë. Tani, vetëm disa muaj pas emërimit të tij, Zamiri është përplasur me Netanyahun, duke shprehur dyshime dhe rezistencë ndaj planit për të pushtuar Gazën.

Siç raportohet nga media lokale, gjatë takimit maratonë me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurisë Izraelite, gjenerali paralajmëroi kryeministrin për rreziqet konkrete të planit të tij, të cilat mund të rrezikonin seriozisht jetën e pengjeve dhe ta lodhin më tej ushtrinë e shtetit hebre pas gati dy vitesh lufte.

Kritikat ndaj Netanyahut

"Ne do të vazhdojmë të shprehim qëndrimin tonë pa frikë, konkretisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionale", paralajmëroi Zamir. “Ushtria, do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi, me integritet dhe vendosmëri, duke menduar vetëm për të mirën e vendit dhe sigurinë e tij", shtoi ai.

Më pas, ai dha detaje rreth planit të Netanyahut, duke argumentuar se "nuk ka përgjigje humanitare për miliona njerëz që Izraeli do të zhvendosë në Gaza”“Gjithçka do të jetë jashtëzakonisht komplekse", shtoi gjenerali.

Zamir shprehu shqetësime më të gjera rreth zgjerimit të operacioneve ushtarake, të cilat do të vinin me koston e jetës së ushtarëve, do të shteronin burimet ushtarake dhe do të çonin në probleme serioze humanitare dhe shëndetësore. "Një operacion i tillë mund të zgjasë me muaj, duke përkeqësuar presionin mbi ushtrinë e rregullt dhe rezervat", tha ai.

Lufta e brendshme

Fjalët e gjeneralit kanë shkaktuar trazira brenda qeverisë izraelite. "Nëse Zamir nuk është dakord, ai duhet të japë dorëheqjen", thanë burime në zyrën e Netanyahut. Sipas Channel 12, ministrat e kabinetit kritikuan ashpër deklaratat e shefit të IDF-së, duke pretenduar se operacioni ushtarak tokësor i planifikuar për në maj 2025 dështoi të arrinte objektivat e tij të deklaruara. Zamir i kundërshtoi shkurt akuzat, duke theksuar se operacioni arriti të krijonte kushtet e nevojshme për shpëtimin e pengjeve të mbetura.

Por shefi i IDF-së padyshim nuk është i vetmi që kundërshton planin e pushtimit. Ai mbështetet edhe nga familjet e pengjeve, të cilat kanë frikë për fatin e të dashurve të tyre që mbahen ende nga Hamasi dhe të cilët në orët e fundit kanë demonstruar jashtë zyrës së Netanyahut në Jerusalem. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos