Aktualisht janë 135 kardinalë me të drejtë vote që mund të marrin pjesë në Konklavë për të zgjedhur Papën e ri pas vdekjes së Papa Françeskut. Në dyshim është pozicioni i kardinalit spanjoll Carlos Osoro Sierra, i cili do të mbushë 80 vjeç më 16 maj dhe humbet të drejtën për të votuar, sipas rregullave të Kishës.
Papa Françesku, që prej fillimit të pontifikatit të tij në vitin 2013, ka emëruar 163 kardinalë, nga të cilët 133 kanë qenë elektorë në momentin e emërimit. Sot, 107 nga 135 kardinalët me të drejtë vote janë emëruar prej tij, duke përfaqësuar shumicën dërrmuese në Konklavën e ardhshme.
Megjithatë, kjo shumicë nuk është homogjene. Ndër ta ka kardinalë me pikëpamje të ndryshme, madje edhe kundërshtarë të hapur të Papa Françeskut, si gjermani Gerhard Ludëig Müller. Disa kardinalë afrikanë dhe aziatikë shfaqin qëndrime më konservatore për çështje etike, krahasuar me qasjen më liberale të disa kolegëve evropianë.
Papa Françesku ka transformuar gjithashtu përbërjen gjeografike të Kolegjit të Kardinalëve, duke i dhënë më shumë përfaqësim Kishave të vendeve në zhvillim dhe periferive të botës. Nga 135 elektorët: 59 vijnë nga Evropa (19 nga Italia), 37 nga Amerika (16 nga Amerika e Veriut, 4 nga Amerika Qendrore, 17 nga Amerika e Jugut), 20 nga Azia, 16 nga Afrika dhe 3 nga Oqeania.
Në Konklavë do të marrin pjesë edhe 34 përfaqësues të urdhrave fetarë, përfshirë jezuitë, françeskanë, dominikanë dhe salezianë.
Më i riu është ukrainasi Mykola Byčok (45 vjeç), ndërsa më i moshuari, përkohësisht, mbetet spanjolli Osoro Sierra, i ndjekur nga vetëm një muaj nga guineani Robert Sarah. (A2 Televizion)