Kardinalët takohën këtë të martë për të planifikuar funeralin e Papa Françeskut, ku pritet të marrin pjesë liderë nga e gjithë bota.
88-vjeçari vdiq papritur të hënën si pasojë e një sulmi në tru dhe arresti kardiak, siç bëri të ditur Vatikani, duke i dhënë fund një Papati të trazuar gjatë së cilit vazhdimisht u përplas me tradicionalistët dhe mbështeti fort të varfërit dhe të margjinalizuarit.
Kreu i Selisë së Shenjtë kaloi 5 javë në spital më herët gjatë vitit për shkak të një pneumonie në të dyja mushkëritë. Por, ai u rikthye në shtëpinë e tij në Vatikan gati një muaj më parë, duke e marrë gradualisht veten, e madje u shfaq për besimtarët në sheshin Shën Pjetër gjatë Pashkëve.
Vdekja e tij e papritur vë në lëvizje një sërë ritualesh antike, teksa Kisha me 1,4 miliardë pjesëtarë nis tranzicionin nga një Papë tek tjetri. Një prej tyre ishte edhe mbyllja e apartamentit papnor nga një kardinal i njohur si Camerlengo.
Të gjithë kardinalët aktualisht në Romë u ftuan të mblidhen në Vatikan që prej mëngjesit kur pritet të bëjnë planet për funeralin.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili është përplasur vazhdimisht me Papën për çështjen e emigracionit, tha se ai dhe bashkëshortja do të udhëtonin në Romë për të marrë pjesë në varrim. Mes krerëve të tjerë të shtetit që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Javier Milei, Presidenti i vendlindjes së Françeskut, Argjentinës.
Vatikani tha se ceremonia pritet të mbahet mes të premtes dhe të shtunës. Në një thyerje të traditës, Françesku konfirmoi në testamentin e tij të fundit, i lexuar të hënën, se dëshiron të varroset në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë e jo në Shën Pjetër.
Ndërkohë, konklava për zgjedhjen e Papës së ri, do të mbahet 15 deri në 20 ditë pas vdekjes së Kreut të Selisë së Shenjtë. (A2 Televizion)