Në garën për dominim global mes SHBA-së dhe Kinës... ky peizazh i largët që i ngjan marsit po bëhet një vijë e re fronti. Thellë në shkretëtirën Atacama të Kilit… ky është një oaz i pasur me metalin më të lehtë në botë, litiumin… dhe Amerika e dëshiron atë.
Trump thotë se mineralet dhe metalet si litiumi janë kritike për sigurinë kombëtare të SHBA-së... dhe Kili ka rezervat më të mëdha në botë. Kompanitë këtu shpojnë në tokë për të nxjerrë ujë të kripur të pasur me litium, duke krijuar këto liqene artificiale. Lëngu më pas lihet të avullojë…para se të përpunohet dhe të dërgohet diku tjetër. Carlos Díaz është drejtori i përgjithshëm në Novoandino Litio, kompania që po eksploron këto miniera... ai thotë se pavarësisht ambicieve të Trump...shumica e litiumit që ata prodhojnë nuk shkon në Shtetet e Bashkuara.
“Rreth 70–75% e produktit tonë përfundon në Kinë. Ata janë prodhuesit kryesorë në botë të baterive dhe automjeteve elektrike, duke kontrolluar mbi 80% të tregut. Kështu që është një e mesme e artë me bateritë që ata prodhojnë dhe litiumi që ne u shesim” u shpreh Carlos Díaz, Drejtor i Novandino Litio.
Por kjo mund të ndryshojë së shpejti... Gjatë fushatës presidenciale në Kili, Trump dha mbështetjen e tij për José António Kast.
Ajo mbështetje po jep rezultat. Dhe një ditë pas marrjes së detyrës, qeveria e Kast nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Uashingtonin... duke u zotuar se “mbështetja e ndërsjellë në furnizimin me minerale kritike është thelbësore për sigurinë kombëtare dhe industritë tregtare të të dyja vendeve”.
“Litiumi është një nga materialet strategjike të përfshira në planet e shumë qeverive. Dhe Shtetet e Bashkuara, si pjesë e objektivit të saj, synon të prodhojë litium si dhe bateri dhe makina elektrike në të ardhmen e afërt”, tha Carlos Díaz.
E vendosur mes Kinës dhe SHBA-së, dy partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë, qeveria e Kilit duhet të ecë në një litar të tendosur dhe të menaxhojë të dyja palët. Por në terren ata shohin mundësi.
“Shpresojmë që do të ketë projekte të reja në Kili për të ndihmuar në ruajtjen dhe zgjerimin e këtij prodhimi në përputhje me kërkesën”, tha Carlos Díaz. (A2 Televizion)