Në luftën për mbrojtjen e planetit, inteligjenca artificiale po shndërrohet në një aleat të ri të shkencëtarëve dhe organizatave mjedisore.
Nga numërimi i kafshëve të rrezikuara te monitorimi i pyjeve, zbulimi i zjarreve dhe analizimi i ndryshimeve klimatike, teknologjia po mundëson rezultate që deri dje kërkonin vite punë.
Por, ndërsa ndihmon në mbrojtjen e natyrës, vetë inteligjenca artificiale po krijon një tjetër problem mjedisor: konsumin masiv të energjisë dhe ujit, si dhe rritjen e emetimeve ndotëse.
Në rezervatin kombëtar Samburu të Kenias, organizata “Save the Elephants” po përdor inteligjencën artificiale për të përmirësuar mënyrën se si numërohen dhe monitorohen elefantët. Tradicionalisht, biologët kryenin vrojtime ajrore, duke numëruar kafshët që arrinin të dallonin nga dritaret e avionëve. Por kjo metodë kishte kufizime të konsiderueshme. Fotografitë me rezolucion të lartë ofronin të dhëna shumë më të sakta, por krijonin një problem tjetër: sasinë e madhe të materialeve që duhej analizuar.
“Vrojtimet ajrore janë mënyra tradicionale që biologët përdorin për të numëruar gjitarët e mëdhenj në ekosistemet e hapura të savanës. Fluturon me avion mbi këtë ekosistem dhe numëron kafshët që arrin të shohësh nga dritarja. Ka disa mënyra për ta bërë këtë, por rezulton se të gjitha janë mjaft të pasakta, nëse i krahasojmë me atë që mund të përftosh nga një aparat fotografik me rezolucion të lartë, në vend të një njeriu që është ulur në avion, paksa i lodhur apo që mund të ndihet keq nga fluturimi. Nëse fotografon nga të dyja anët e avionit, përfiton të dhëna fantastike. Sfida është se të dhënat janë tepër të shumta. Duhet dikush që të shqyrtojë çdo fotografi, me shumë kujdes dhe nga afër, për të kuptuar se çfarë përmban ajo.”
Përmasat e këtij problemi bëhen më të qarta nga një vrojtim i kryer disa vite më parë në Tsavo. Rreth 190 mijë fotografi kërkuan nëntë persona dhe plot nëntë muaj punë për t'u numëruar dhe interpretuar. Një proces tepër i gjatë, sidomos kur autoritetet kanë nevojë për të dhëna të shpejta për të marrë vendime mbi mbrojtjen e faunës.
“Kur provuam për herë të parë këtë lloj pune në Tsavo, disa vite më parë, mblodhëm pak më pak se 190 mijë fotografi. Për t'i numëruar dhe interpretuar të gjitha këto fotografi, u desh një ekip prej nëntë personash dhe nëntë muaj punë. Kjo është një periudhë kohore e papërballueshme. Pikërisht këtu hyn në lojë inteligjenca artificiale. Kur përdorim një sistem të inteligjencës artificiale të trajnuar për të analizuar këto imazhe, ai tashmë mund të identifikojë me shumë saktësi praninë e kafshëve në fotografi.”
Por teknologjia nuk shërben vetëm për të numëruar kafshët. Studiuesit shpresojnë ta përdorin atë edhe për të kuptuar më mirë sjelljen e tyre dhe për të zbuluar modele që mund t'u kenë shpëtuar syve të njeriut. Prej më shumë se 25 vitesh, “Save the Elephants” ka mbledhur miliona të dhëna për lëvizjet e mbi 200 elefantëve në këtë ekosistem. Tashmë, inteligjenca artificiale mund t'i analizojë këto informacione së bashku me të dhënat për reshjet, ndryshimet sezonale, praninë njerëzore, trafikun dhe fenomene të tjera natyrore.
“Këtu shpresojmë që inteligjenca artificiale të na ndihmojë. Mund t'i japim asaj të gjithë këtë grup të dhënash dhe ta lejojmë të analizojë stinë të ndryshme, duke shtuar edhe informacionin për reshjet, për vendet ku njerëzit jetojnë ose kanë qenë të pranishëm dhe kohën kur kanë qenë atje. Mund të përfshijmë edhe stuhi me vetëtima, tërmete, trafik apo çdo informacion tjetër që mund të jetë i rëndësishëm. Më pas i kërkojmë inteligjencës artificiale të zbulojë modele që mund të na kenë shpëtuar.”
Nga savanat e Afrikës, përdorimi i inteligjencës artificiale shtrihet edhe në pyjet e Mbretërisë së Bashkuar. Atje, studiuesit po përdorin pajisje të posaçme për të regjistruar tingujt e lakuriqëve të natës dhe për të kuptuar më mirë aktivitetin e tyre. Këto kafshë orientohen dhe gjejnë ushqim përmes ekolokacionit, duke prodhuar sinjale zanore që mund të regjistrohen dhe analizohen nga teknologjia.
“Ekipi ynë në Forest Research ka bashkëpunuar gjatë viteve të fundit me organizatën Bat Conservation Trust për të realizuar vrojtimin më të madh të këtij lloji për lakuriqët e natës që është kryer ndonjëherë në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo që kemi bërë është vendosja e pajisjeve të specializuara për regjistrimin e tingujve në pyje të ndryshme të Anglisë. Këto pajisje regjistrojnë tingujt e pyllit dhe më pas ne përdorim inteligjencën artificiale për të përpunuar të dhënat dhe për të zbuluar se cilat lloje lakuriqësh nate kanë qenë aktive dhe në çfarë niveli.”
Rezultatet e para të këtij projekti tregojnë përmasat e mundësive që ofron kjo teknologji. Vetëm në 310 pika monitorimi janë regjistruar rreth 90 mijë orë audio, një sasi e jashtëzakonshme informacioni. Kombinimi i inteligjencës artificiale me verifikimin njerëzor ka bërë të mundur identifikimin e rreth 98 milionë thirrjeve të lakuriqëve të natës.
“Duke përdorur inteligjencën artificiale së bashku me verifikimin njerëzor, arritëm të identifikonim rreth 98 milionë thirrje të lakuriqëve të natës. Kjo na jep një panoramë shumë të pasur të vendeve ku ata janë aktivë dhe të nivelit të aktivitetit të tyre. Këto informacione na ndihmojnë të përcaktojmë masat që duhet të marrim për të mbrojtur vendet ku ata kanë nevojë të jetojnë, si pyjet dhe habitatet e tjera, por edhe për përpjekjet më të gjera për rimëkëmbjen e natyrës.”
Një tjetër projekt ambicioz po zhvillohet në Tanzani, në Institutin Jane Goodall, ku inteligjenca artificiale po ndihmon në përpunimin e dekadave të tëra kërkimesh mbi sjelljen e shimpanzeve në Parkun Kombëtar Gombe. Arkivi përmban mijëra shënime të shkruara me dorë, në gjuhën lokale Kiha, në suahilisht dhe me terma shkencorë. Digjitalizimi i tyre ishte një proces që mund të kërkonte deri në 15 vjet.
Por një teknologji e zhvilluar në bashkëpunim me Amazon Web Services po e shkurton ndjeshëm këtë afat. Lilian Pintea, zëvendëspresidente për shkencën e ruajtjes së natyrës në Institutin Jane Goodall, kujton momentin kur studiuesit kuptuan potencialin e këtij sistemi.
“Në një moment, një prej inxhinierëve të Qendrës së Inovacionit për Inteligjencën Artificiale Gjenerative të AWS fotografoi njërën prej këtyre fletëve, të shkruara në suahilisht dhe Kiha. Madje, nuk ishte as suahilishtja e pastër, por një përzierje e saj me gjuhën Kiha dhe disa shprehje lokale të Gombe-s. Brenda pak minutash, pasi përpunuam dhe përmirësuam udhëzimet që i dhamë sistemit, pamë se dokumenti jo vetëm po përkthehej në anglisht, por edhe të dhënat po nxirreshin automatikisht dhe po organizoheshin në një tabelë, gati për t'u hedhur në një bazë të dhënash. Më kujtohet reagimi i të gjithëve në telefonatë: ‘Uau, mendoj se kemi zbuluar diçka vërtet të veçantë’.”
Për shumë organizata mjedisore, këto janë përparime që deri pak kohë më parë dukeshin të pamundura. Por përfitimet kanë edhe një kosto. Qendrat e të dhënave, të cilat furnizojnë sistemet e inteligjencës artificiale, kërkojnë sasi të mëdha energjie dhe uji. Ndërtimi i tyre zë sipërfaqe të konsiderueshme toke, ndërsa infrastruktura e nevojshme për furnizimin me energji mund të shkaktojë shkatërrimin e habitateve natyrore.
“Qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale kanë një gjurmë mjedisore jashtëzakonisht të madhe. Ato kërkojnë sipërfaqe të konsiderueshme toke për t'u ndërtuar, por konsumojnë edhe sasi të mëdha energjie. Kjo energji prodhohet shpesh nga burime ndotëse, si gazi natyror, qymyri dhe burime të tjera fosile. Përveç kësaj, nevojiten linja të shumta transmetimi për të furnizuar këto qendra me energji elektrike dhe kjo krijon shkatërrim të habitateve. Vetë infrastruktura zë hapësirë, ndërsa qendrat e të dhënave përdorin gjithashtu sasi të mëdha uji. Shpesh ato ndërtohen në zona të thata, ku burimet ujore janë tashmë të kufizuara. Në këtë mënyrë, pakësojnë rezervat e ujit që nevojiten edhe për jetën e egër dhe për ekosistemet e tjera.”
Sipas O’Donnell, është ende herët të thuhet nëse përfitimet e inteligjencës artificiale për natyrën kompensojnë dëmet që ajo shkakton. Ai paralajmëron se, pa rregulla të qarta dhe një vlerësim të plotë të ndikimit të saj, kjo teknologji mund të rezultojë në një bilanc negativ për mjedisin.
“Nuk mendoj se aktualisht përdorimet pozitive të inteligjencës artificiale kompensojnë dëmet që ajo shkakton. Sigurisht, ka disa përdorime shumë të mira dhe kompanitë i promovojnë e i paraqesin ato, sepse janë vërtet pozitive. Por ne ende nuk i kemi krahasuar këto përfitime me të gjithë ndikimin që inteligjenca artificiale ka mbi natyrën, duke i vlerësuar të dyja në të njëjtat kushte. Derisa kjo të ndodhë, mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos i festojmë pa rezerva përdorimet pozitive, pa njohur edhe ndikimin e përgjithshëm. Në tërësi, kjo teknologji mund të ketë një efekt negativ dhe madje jashtëzakonisht negativ mbi natyrën, nëse nuk vendosim mekanizma të fortë rregullimi dhe kontrolli.”
Parashikimet janë shqetësuese. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, konsumi global i energjisë elektrike nga qendrat e të dhënave mund të arrijë në 945 teravat-orë në vit deri në vitin 2030, pothuajse dyfishi i nivelit aktual. Kjo shifër është e krahasueshme me konsumin vjetor të energjisë elektrike të Japonisë. Edhe përdorimi i ujit pritet të rritet ndjeshëm, nga rreth 560 miliardë litra në vitin 2023 në 1.2 trilionë litra në vit deri në fund të dekadës.
Dilema është globale: si të përfitojmë nga një teknologji që mund të ndihmojë në shpëtimin e biodiversitetit dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike, pa krijuar një tjetër kërcënim për planetin?
Për studiuesit, inteligjenca artificiale është tashmë një mundësi që nuk mund të shpërfillet. Por sfida mbetet që ajo të përdoret si një mjet në shërbim të natyrës dhe jo të shndërrohet në një tjetër barrë për mjedisin.
(A2 Televizion)