Kuvendi miratoi Deklaratën për mbështetjen e Rezolutës të AP të OKB-së për Ditën ndërkombëtare të reflektimit dhe përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë
I mbledhur në seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të 40 deputetëve, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca miratoi sot njëzëri Deklaratën për mbështetjen e Rezolutës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ditën ndërkombëtare të reflektimit dhe përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, të datës 23 maj 2024.
Kuvendi po ashtu me një minutë heshtje nderoi viktimat e masakrës së Srebrenicës, të kryer nga shteti serb.
Para deputetëve deklaratën e paraqiti dhe e arsyetoi nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bahrim Shabani.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës deklaratës i dha mbështetje zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, e cila falënderoi të gjithë vendet që kanë përkrahur popullin boshnjak, si dhe popullin e Kosovës e institucionet e saj, për mbështetjen e rezolutës në kujtimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Në fjalën e tij nënkryetari Shabani theksoi se 11 korriku duhet të jetë ditë përkujtimi dhe reflektimi për gjenocidin e bërë nga Serbia në Srebrenicë.
Duke lexuar deklaratën, Shabani tha se nëpërmjet miratimit të saj Kuvendi i Republikës së Kosovës vlerëson lart miratimin e Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995, si dhe qëndrimet dhe argumentimet e shprehura përmes saj, ndërsa vlerëson caktimin e datës 11 korrik si Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, që do të mbahet çdo vit.
Në bazë të deklaratës Kuvendi i Republikës së Kosovës solidarizohet me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, ndërsa kujtimi i Srebrenicës të shërbejë si një kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë kolektive për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. Kuvendi gjithashtu respekton Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë, 11 Korrikun dhe në respekt të kësaj dite Republika e Kosovës do të organizojë ngjarje të veçanta dhe aktivitete në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe aktivitete të përshtatshme edukimi dhe ndërgjegjësimi publik.
(A2 Televizion)