Sulmet e fundit ruse kanë shkaktuar 13 viktima në qytetin jugor të Ukrainës në Zaporizhia. Sipas autoriteteve lokale,“Armiku sulmoi një zonë banimi me dy bomba të drejtuara. Ne dimë për 13 vdekje deri më tani”. Këtë fakt e konfirmoi edhe guvernatori rajonal Ivan Fedorov në një video të publikuar në mediat lokale. Ishte një nga sulmet individuale më të përgjakshme këtë javë. Sipas Fedorov, sulmi ndodhi gjatë ditës së enjte.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj e quajti sulmin "mizor" dhe tha se të paktën 30 civilë u plagosën. Ai ka publikuar një video në të cilën ndër të tjera shihen persona të lënduar mbi të cilët kanë rënë rrënojat. Pranë qytetit të Zaporizhzhia ndodhet termocentrali bërthamor, i cili është pushtuar nga ushtria ruse që nga marsi i vitit 2022. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) kishte shprehur tashmë shqetësime për sigurinë në termocentralin bërthamor në disa raste.
Rajoni i Zaporizhzhia në Ukrainën jugore është një nga zonat më të kontestuara në luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Nga fundi i vitit të kaluar pati spekulime për një ofensivë të re ruse të afërt në qytetin e Zaporizhzhia. Ndërkohë, Guvernatori Fedorov njoftoi se dy persona ishin vrarë në një tjetër sulm rus në një qytet rreth 30 kilometra në jug të Zaporizhzhia. Ndërkohë, një zjarr i madh shpërtheu si rezultat i një sulmi me dron ukrainas në një "ndërmarrje industriale" në rajonin e Saratovit të Rusisë, tha guvernatori rajonal Roman Busagrin. Dy zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë shuarjes së zjarrit.
Sakaq, për herë të fundit para inaugurimit të Presidentit të ardhshëm të SHBA-së Trump, grupi i kontaktit të Ukrainës do të takohet në bazën amerikane në Ramstein. Sipas njoftimeve të mediave, pritet edhe shpallja e një pakete të re përfundimtare të ndihmës ushtarake amerikane përpara ndryshimit të pushtetit në Uashington më 20 janar. Sipas Zelensky, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umjeroë është tashmë në Gjermani dhe po zhvillon bisedime. (A2 Televizion)