Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, e përshkroi propozimin e Vladimir Putinit për një armëpushim tre-ditor nga data 8 deri më 10 maj si "fillimin e negociatave të drejtpërdrejta" me Kievin "pa parakushte", ndërsa e quajti propozimin e Ukrainës për një armëpushim prej të paktën 30 ditësh "një parakusht". Lajmi u raportua nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve Ria Novosti.
Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të këmbëngulë që Rusia duhet të marrë kontrollin e katër rajoneve të Ukrainës që nuk i ka pushtuar plotësisht, si pjesë e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës.
Duke cituar burime “Bloomberg” raporton se Steve Ëitkoff, i dërguari i Donald Trump, u përpoq ta bindte Putinin të ndalonte luftimet përgjatë vijave aktuale të frontit gjatë takimit të tyre të fundit. Megjithatë, udhëheqësi i Kremlinit mbeti i vendosur në qëndrimin e tij.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje që të mos i “jepet” asnjë territor homologut të tij rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës, ndërsa Uashingtoni thuhet se po shqyrton njohjen e rajoneve të pushtuara nga Moska.
“Ne të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë në mënyrë të drejtë, pa dhurata për Putinin, veçanërisht tokë”, tha Zelensky në një videokonferencë gjatë një samiti të organizuar nga Polonia.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, përsëriti se SHBA-të do t'i japin fund ndërmjetësimit në konflikt nëse nuk vijnë "propozime konkrete" nga Rusia dhe Ukraina.
Vendet që u bashkuan së fundmi me NATO-n, Suedia dhe Finlanda, janë bërë automatikisht "shënjestra" të forcave ruse në hakmarrje të mundshme. Kështu deklaroi më herët ish-Presidenti rus dhe zëvendëssekretari aktual i Këshillit të Sigurisë, Dmitry Medvedev. Këto vende "janë tani në një bllok armiqësor ndaj nesh", theksoi Medvedev.
“Kjo do të thotë se ata janë bërë automatikisht një objektiv për ushtrinë tonë, me sulme të mundshme hakmarrëse dhe madje edhe një komponent bërthamor”, tha ish-presidenti. (A2 Televizion)