Rusia përshëndet armëpushimin mes aleatit të saj Iranit dhe Izraelit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se Moska ka bërë thirrje prej nisjes së këtij konflikti për ulje armësh dhe dialog.
“Shpresojmë që ky do të jetë një armëpushim i qëndrueshëm”, u shpreh Peskov.
Kjo vjen pas vizitës së ministrit të jashtëm Iranian në Rusi dhe mbështetjes që i dha presidenti Vladimir Putin Teheranit, duke dënuar ashpër sulmin amerikan të fundjavës ndaj 3 impianteve bërthamore.
Peskov hodhi poshtë raportimet se në zyrën e Putini ka mbërritur një letër nga Lideri Suprem Iranian për të kërkuar mbrojtje ushtarake.
Edhe ministri jashtëm rus, Sergej Lavrov, hodhi dyshime mbi jetëgjatësinë e paqes në Lindjen e Mesme, ndërsa vërshoi kritika të forta ndaj Amerikës dhe NATO-s.
“Nuk mund të injorohen rreziqet që paraqet zgjerimi i NATO-s përtej zonës së saj tradicionale të përgjegjësisë, ndërsa ajo përpiqet të krijojë praninë e saj në Lindjen e Mesme, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore. Sigurisht, nuk është një proces i lehtë, rivendosja e marrëdhënieve Rusi -SHBA, mjafton të shikosh situatën aktuale në botë ndërsa ky dialog po zhvillohet. Padyshim që po ecën ngadalë, por me këmbëngulje dhe me secilën palë që tregon përgjegjësi për fatin e botës, mund t'i sjellë dobi të gjithë njerëzimit, përfshin diskutime proaktive dhe shmangien e krizave si ato që po dëshmojmë aktualisht”, tha Sergej Lavrov. (A2 Televizion)