Zelensky mohon sulmin me dron ndaj rezidencës së Putinit

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 07:07 | Bota

Zelensky mohon sulmin me dron ndaj rezidencës së Putinit

Presidenti Volodymyr Zelensky ka mohuar akuzat e Rusisë se Ukraina ka kryer një sulm me dron ndaj njërës prej rezidencave të presidentit Vladimir Putin dhe ka akuzuar Moskën se po përpiqet të prishë bisedimet e paqes.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pretendoi se Kievi kishte nisur një sulm gjatë natës duke përdorur 91 mjete ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi (UAV) në rezidencën shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit të Rusisë.

Rusia tha se tani do të rishikojë qëndrimin e saj në negociatat e paqes. Ende nuk është e qartë se ku ndodhej Putini në kohën e sulmit të supozuar.

Zelensky e hodhi poshtë pretendimin si "gënjeshtra tipike ruse", që synonin t'i jepnin Kremlinit një justifikim për të vazhduar sulmet ndaj Ukrainës.

Ai tha se Rusia më parë kishte shënjestruar ndërtesat qeveritare në Kiev.

"Është thelbësore që bota të mos heshtë tani. Nuk mund ta lejojmë Rusinë të minojë punën për arritjen e një paqeje të qëndrueshme" tha Zelensky në X.

Në një deklaratë të ndarë në Telegram të hënën, Lavrov tha se të 91 dronët që ai pretendoi se u nisën në rezidencën e Putinit u interceptuan dhe u shkatërruan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore.

Ai shtoi se nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale si pasojë e sulmit.

“Duke pasur parasysh degjenerimin përfundimtar të regjimit kriminal të Kievit, i cili ka kaluar në një politikë terrorizmi shtetëror, pozicioni negociues i Rusisë do të rishikohet”, tha ai, teksa shtoi se Rusia nuk kishte ndërmend të dilte nga procesi i negociatave me SHBA-në

Pretendimi nga Moska vjen pas bisedimeve midis SHBA-së dhe Ukrainës në Florida të dielën, ku presidentët Trump dhe Zelensky diskutuan një plan të rishikuar paqeje për t'i dhënë fund luftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos