Libani dhe Izraeli pritet të zhvillojnë bisedime diplomatike direkte në Uashington pas më shumë se një muaji lufte

Nga A2 CNN
14 Prill 2026, 11:43 | Bota

Libani dhe Izraeli pritet të zhvillojnë bisedime diplomatike direkte
Libani dhe Izraeli pritet të mbajnë të martën në Uashington bisedimet e para diplomatike direkte në dekada, pas më shumë se një muaji lufte mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah, që ka tronditur vendin e vogël mesdhetar.

Në bisedime do të marrë pjesë Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, së bashku me ambasadorin izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, dhe ambasadoren libaneze në SHBA, Nada Hamadeh Moawad.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 2,089 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, përfshirë 252 gra, 166 fëmijë dhe 88 punonjës mjekësorë, ndërsa 6,762 të tjerë janë plagosur. Më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Qeveria libaneze shpreson se këto bisedime do të hapin rrugën për përfundimin e luftës. Ndërkohë, Irani ka vendosur përfundimin e luftërave në Liban dhe rajon si kusht për negociata me SHBA-në, ndërsa Libani këmbëngul të përfaqësohet vetë në këto bisedime.

Hezbollahu dhe kritikët e tij janë skeptikë, duke thënë se qeveria në Bejrut nuk ka ndikim real dhe duhet të shfrytëzojë pozicionin e Iranit, aleatit dhe mbështetësit kryesor të grupit.

Ushtria izraelite vazhdon operacionet në jug të Libanit, me disa zyrtarë izraelitë që thonë se qëllimi është krijimi i një zone sigurie të zbrazur nga popullsia, nga kufiri deri te lumi Litani (rreth 30 km). Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, megjithëse i dobësuar pas luftës së fundit që përfundoi në nëntor 2024, vazhdon të lëshojë dronë, raketa dhe predha drejt veriut të Izraelit dhe forcave tokësore brenda Libanit.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se përfaqësuesit izraelitë dhe libanezë do të diskutojnë mënyra për të siguruar siguri afatgjatë në kufirin verior të Izraelit, si dhe për të mbështetur përpjekjet e Libanit për të marrë kontroll mbi territorin e tij dhe të ardhmen politike nga Hezbollahu i mbështetur nga Irani.

Sipas këtij zyrtari, këto do të jenë bisedimet e para direkte mes dy vendeve që nga viti 1993.

Autoritetet më të larta politike të Libanit, të cilat kanë kritikuar vendimin e Hezbollahut për të lëshuar raketa drejt Izraelit në 2 mars në solidaritet me Iranin, propozuan shpejt bisedime direkte për të ndalur përshkallëzimin, duke shpresuar se Izraeli nuk do të niste një pushtim tokësor.

Izraeli fillimisht nuk reagoi pozitivisht, por ndryshoi qëndrim javën e kaluar, pasi kreu rreth 100 sulme në të gjithë vendin, përfshirë edhe në kryeqytetin Bejrut.

Bejruti kërkon një armëpushim si kusht paraprak për bisedime, ngjashëm me negociatat e ndërmjetësuara nga Pakistani mes SHBA-së dhe Iranit.

“Shkatërrimi i territorit libanez nga Izraeli nuk është zgjidhje dhe nuk do të sjellë rezultate,” tha presidenti libanez Joseph Aoun. “Zgjidhjet diplomatike kanë qenë gjithmonë mënyra më efektive për zgjidhjen e konflikteve të armatosura në botë.”

Izraeli ka përjashtuar mundësinë e një armëpushimi.

“Ne nuk do të diskutojmë armëpushim me Hezbollahun, i cili vazhdon të kryejë sulme të padallim ndaj Izraelit dhe civilëve tanë,” tha zëdhënësja e kryeministrit Benjamin Netanyahu, Shosh Bedrosian.

Hezbollahu dhe mbështetësit e tij i kanë kritikuar bisedimet, duke i quajtur lëshim falas ndaj Izraelit. Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Kassem, bëri thirrje që Libani t’i anulojë bisedimet, duke kërkuar rikthim në marrëveshjen e vitit 2024, ku negociatat zhvilloheshin në mënyrë indirekte me ndërmjetësimin e SHBA-së, Francës dhe misionit paqeruajtës të OKB-së në jug të Libanit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos