Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka hedhur poshtë kritikat nga Shtetet e Bashkuara për programin bërthamor të Iranit, duke thënë të martën se Teherani nuk do të kërkojë leje nga askush për ta pasuruar uraniumin.
Ai i ka cilësuar si “marrëzi” deklaratat e Shteteve të Bashkuara.
“Ata thonë: ‘Nuk do ta lejojmë Iranin të pasurojë uranium’. Kjo tejkalon çdo kufi”, tha Ayatollah Ali Khamenei gjatë një ceremonie përkujtimore për presidentin e ndjerë Ebrahim Raisi, i cili vdiq vitin e kaluar në një aksident me helikopter.
"Është gabim i madh nga ana e tyre të thonë se ne nuk do ta lejojmë Iranin ta pasurojë uraniumin. Askush nuk po pret leje për këtë apo atë. Republika islamike ka një politikë, ka një metodë, dhe ndjek politikën e saj... Çështja e pasurimit nuk është fare çështje për diskutim", shtoi ai.
Uashingtoni dhe Teherani janë duke mbajtur bisedime indirekteve javëve të fundit për programin bërthamor të Iranit.
Megjithatë, Khamenei duket se nuk beson se ato do të sjellë ndonjë rezultat.
“Po, pati bisedime indirekte edhe gjatë kohës së Raisit, ashtu siç po ka tani. Por, ato nuk çuan askund - dhe nuk presim shumë as nga këto të tanishmet. Kush e di çfarë do të ndodhë”, theksoi ai.
Komentet e tij pasqyrojnë zemërimin në rritje të Teheranit, për shkak të bisedimeve të bllokuara bërthamore, si dhe tensioneve më të mëdha që kanë karakterizuar marrëdhëniet SHBA-Iran në vitet e fundit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme së Iranit, Esmaeil Baghaei, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA se “ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar për rundin e ardhshëm të negociatave”, duke shtuar se “Republika Islamike e Iranit po shqyrton çështjen duke pasur parasysh qëndrimet kontradiktore dhe vazhdimisht të ndryshueshme të palës amerikane”.
IRNA gjithashtu raportoi se Kazem Gharibabadi, zëvendësministri i jashtëm, tha se Teherani e ka marrë një propozim lidhur me rundin e ardhshëm të bisedimeve indirekte me Uashingtonin dhe se është duke e shqyrtuar atë./ REL (A2 Televizion)