Ushtria izraelite ka arritur të shpëtojë katër pengje të cilët ishin rrëmbyer në sulmin e 7 tetorit nga Hamasi. Pengjet ishin strehuar nga organizata militante në dy vende të veçanta në zonën e Gazës Qendrore.
Katër pengjet, tre meshkuj dhe një femër, u dërguan në spital për kontrolle mjekësore, tha ushtria duke bërë të ditur se ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Njëri nga pengjet, Noa Argamani, foli personalisht në telefon me Kryeministrin Benjamin Netanyahu duke iu shprehur se kishte një kohë të gjatë që nuk dëgjonte gjuhën hebraishte. Argamani u bë imazhi kryesor i krizës së pengjeve kur u shfaqën në internet pamjet e rrëmbimit të saj nga dy persona me motor. Në pamje, Argamani e mërzitur bërtiste: "Mos më vrit!"
Pas tetë muajsh lufte shkatërruese në Gaza të nxitur nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, 116 nga rreth 250 pengjet e rrëmbyer nga militantët janë lënë në enklavën palestineze, sipas të dhënave izraelite - të paktën 40 prej të cilëve janë deklaruar të vdekur në mungesë nga autoritetet.
Sakaq, lajme kontradiktore vijnë për qeverinë e Benjamin Netanyahut. Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz ka shtyrë daljen publike me atë së cilës do të njoftonte dorëheqjen e tij nga qeveria e Netanyahut. Shkak është bërë lirimi i pengjeve izraelitë. Largimi i partisë së qendrës të Gantz nuk do të përbënte ndonjë kërcënim të menjëhershëm për koalicionin qeverisës të Netanyahut, i cili kontrollon 64 nga 120 vendet e parlamentit, por megjithatë mund të ketë një ndikim serioz, citon Reuters.
Me largimin e Gantz-it, Netanyahu do të humbiste mbështetjen e një blloku centrist që ka ndihmuar në zgjerimin e mbështetjes për qeverinë në Izrael dhe jashtë saj, në një kohë të rritjes së presionit diplomatik dhe të brendshëm tetë muaj pas luftës së Gazës. Sondazhet kanë treguar se Gantz, ish-komandant ushtrie dhe ministër i mbrojtjes, mund të jetë rivali politik më i frikshëm i Netanyahut, imazhi i të cilit si një skifter pro lufte u shkatërrua nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi ndaj Izraelit. (A2 Televizion)