Pasiguritë dhe shtyrjet morën fund. Organizatorët e Lojërave Olimpike Paris 2024 dhanë dritën jeshile, duke lejuar zhvillimin e garës së triathlonit. Testet laboratorike të kryera me ujin e lumit Senë konfirmuan uljen e nivelit të baktereve, duke i dhënë fund problematikës më të madhe të Olimpiadës.
Prej ditësh, papastërtia e ujit të lumit ishte kthyer në çështje, madje duke rrezikuar seriozisht edhe zhvillimin e tre-garëshit, ku sportistët do të konkurrojnë në vrapim, not dhe biçikletë. Sipas organizatorëve të eventit në Francë, shkak për situatën e krijuar ishin bërë reshjet e dendura të shiut gjatë fundjavës së kaluar.
Gara e triathlonit për meshkuj, e programuar të zhvillohej të martën u shty me 24 orë. Ajo u zhvillua menjëherë pas konkurrimit të femrave këtë të mërkurë, ku 55 sportiste përfaqësuan 34 shtete të ndryshme, ndërsa medalja e artë u fitua nga francezja Kasandra Bugrand.
Ky vendim erdhi si një çlirim për atletët pjesëmarrës, por është një lajm i mirë edhe për banorët e Parisit. Autoritetet e kryeqytetit francez kanë premtuar se synojnë përmirësimin e cilësisë së ujit në lumin Senë edhe për të ardhmen. Kjo do të jetë trashëgimia e Lojërave Olimpike, duke bërë të mundur që aty të notojnë edhe parizienët.
Parisi ka shpenzuar 1 miliardë e 400 milionë euro nga fondet publike për të përmirësuar infrastrukturën e shkarkimit të ujërave dhe për të minimizuar që ato të derdhen në lumin Senë.
Për të bindur të gjithë opinionin botëror se uji nuk është i dëmshëm, në fillim të korrikut kryebashkiakja An Hidalgo u la në lumë, për të treguar se askush nuk rrezikon të sëmuret. (A2 Televizion)