Lufta e “grurit” në Detin e Zi, Ukraina sulmon Rusinë dhe hakmerret, shpërthime dhe flakë

Nga Xhevahir Qardaku
6 Gusht 2026, 14:42 | Bota

Ukraina hakmerret ndaj Rusisë, ndërsa ende nuk janë shuar flakët e sulmit në Kiev. Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se ushtria ukrainase ka goditur dy rafineri ruse nafte në sulme “me rreze të gjatë veprimi”.

Lideri ukrainas tha se objektivat ishin rafineritë në Bashkortostan dhe Yaroslavl. Shpërthime, flakë dhe re të mëdha tymi të zi u panë mbi qytetet ruse.

Guvernatori rajonal në Yaroslavl e cilësoi sulmin si “më të madhin ndonjëherë nga dronët e armikut”, duke deklaruar se 93 mjete fluturuese pa pilot me municion ishin shkatërruar. Megjithatë, ai bëri të ditur se disa rezervuarë magazinimi nafte u dëmtuan nga mbetjet e mjeteve të rrëzuara.

Në të gjithë Rusinë, ushtria deklaroi se ka kapur dhe shkatërruar 605 dronë ukrainas në disa rajone të vendit.

Forcat e Kievit kanë intensifikuar javët e fundit sulmet ndaj infrastrukturës ruse, duke përfshirë rafineri nafte dhe depo karburanti.

Ndërkohë, në Ukrainë, zyrtarët raportojnë se tre persona janë vrarë në një sulm me dron rus në një zonë banimi, ndërsa dy të tjerë kanë humbur jetën në një stacion hekurudhor gjatë orëve të fundit.

Në Detin e Zi, pranë portit të Odesës, forcat ruse sulmuan një anije me flamur të Guinesë-Bisau, e cila transportonte drithëra ukrainase. Nga sulmi mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë, raportoi agjencia Ukrinform, duke cituar guvernatorin e Odesës, Oleh Kiper.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po konsultohet me aleatët për dërgimin urgjent të sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore në Ukrainë.

Rutte e bëri njoftimin përmes një postimi në rrjetin social X, pas një bisede telefonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku u diskutua situata e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos