Panairi i Ulqinit, 25 vjet traditë përmes librit në gjuhën shqipe

Nga Luela Myftari
6 Gusht 2026, 14:49 | Kulturë

25 vjet më parë, të kaloje në doganë librin shqip për një panair ishte shumë e vështirë. Ulqini, që fliste në përditshmëri shqip, nuk kishte asnjë librari ku të gjeje libra në gjuhën e trashëguar.

Sot, jo vetëm libraritë, por edhe shëtitoret mbushen me titujt më të fundit të shtëpive botuese. Irena dhe Fatmir Toçi janë sërish aty për këtë mision. Për 25 vjet, gjatë verës, qendra e qytetit turistik ka edhe një alternativë për të ofruar: dije dhe kulturë në gjuhën shqipe.

Presidentë, ministra të kulturës dhe turizmit e kanë shoqëruar këtë rrugëtim ndër vite. Në ceremoninë e hapjes së edicionit jubilar të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin këtë vit mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Kreu i Shtetit vlerësoi se libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare.

“Libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare jo vetëm në fjalime dhe në ditët kur hapen panairet, por në mënyrën se si investojmë te bibliotekat, si i përzgjedhim librat për shkollat dhe si mbështesim botuesit, përkthyesit e autorët, si dhe si e afrojmë librin me fëmijët”.

Panairi konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të rajonit dhe mbledh autorë, botues, krijues dhe dashamirës të librit nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera.

Ai synon promovimin e librit dhe gjuhës shqipe, nxitjen e dialogut ndërkulturor, si dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve të rajonit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos