As Barcelona dhe as Bayern, Fisnik Asllani gati për Leipzig, kontratë deri në 2031

Nga Dea Kozma
6 Gusht 2026, 15:27 | Sport

Fisnik Asllani është gati për hapin më të madh të karrierës së tij. Nga sezoni i ri, ai jo vetëm që do të vijojë të luajë në Bundesliga, por do të ketë mundësinë të jetë protagonist edhe në ndeshjet e Champions League.

Sulmuesi 23-vjeçar i Kosovës mund të konsiderohet lojtari më i ri i Leipzigut, skuadër që e mbylli kampionatin në vendin e tretë.

Klubi ka arritur në fazën finale të negociatave me Hoffenheimin, duke pranuar të paguajë edhe shumën prej rreth 30 milionë eurosh, e cila ishte vendosur si klauzolë në rast largimi para përfundimit të marrëveshjes.Asllani do të firmosë një kontratë deri në verën e vitit 2031, shkruan A2CNN. 

Pas një sezoni shumë të mirë me fanellën e Hoffenheimit, ku regjistroi 10 gola dhe 11 asistime në Bundesliga, Asllani tërhoqi interesin e disa klubeve të mëdha evropiane, mes tyre Borussia Dortmund, Bayern Munich dhe Barcelona. Megjithatë, Leipzig ishte më konkret në negociata dhe fitoi garën për firmën e sulmuesit.

Transferimi i tij lidhet edhe me lëvizjet që pritet të ndodhin në repartin ofensiv të Leipzigut, me klubin që synon ta ketë Asllanin një nga pikat kyçe të sulmit për sezonin e ri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos