Për herë të parë, Superiorja do të luajë ndeshjet e saj edhe në orën 21:00 të mbrëmjes. Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar programin e ri të zhvillimit të ndeshjeve për sezonin 2026-2027, duke sjellë një risi historike për kampionatin shqiptar.
Për herë të parë, ndeshjet e Kategorisë Superiore do të zhvillohen në katër fasha orare: 13:30, 16:00, 18:30 dhe 21:00.
Sipas FSHF-së, vendimi synon një organizim më efikas të garave, përshtatjen me kërkesat e transmetimeve televizive, si dhe krijimin e kushteve më të mira për klubet, futbollistët dhe tifozët.
Në javët pa angazhime të ekipeve kombëtare, ndeshjet do të programohen kryesisht të premten, të shtunën dhe të dielën, ndërsa në raste të veçanta mund të zhvillohen edhe të hënën.
Me këtë ndryshim, futbolli shqiptar hyn në një epokë të re, ku sfidat e mbrëmjes pritet të ofrojnë më shumë spektakël, audiencë televizive dhe mundësi më të mira për ndjekjen e kampionatit nga tifozët. (A2 Televizion)