Zjarr, tym, të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime në favelat e famshme të Rio de Janeiro-s në Brazil.
“Skena lufte” përshkruajnë banorët në rrjetet sociale dhe mediat lokale, ndërsa flasin për operacionin e madh të nisur nga Guvernatori Claudio Castro, i Partisë Liberale të ish-Presidentit Jair Bolsonaro, kundër Comando Vermelho, një nga grupet kriminale më të mëdha dhe më të fuqishme të Brazilit, shkruan A2.
Mbi 2 500 oficerë policie dhe anëtarë të forcës speciale për luftimin e krimit të organizuar hynë në komplekset Alemão dhe Penha, ku banojnë 280 000 njerëz. Të paktën 64 persona u vranë në përplasje, përfshirë katër oficerë, dhe mbi 80 njerëz u arrestuan.
Breshëritë me mbi 200 fishekë në minutë i transformuan disa zona të Rios në një fushë beteje të vërtetë. Grupi iu përgjigj zjarrit të policisë me dronë të mbushur me granata, pushkë sulmi të afta për të rrëzuar helikopterë dhe autobusë të rrëmbyer për të bllokuar rrugët e hyrjes, ndërsa mesazhe qarkulluan në WhatsApp duke i nxitur banorët të merrnin pjesë në bllokada.
Qëllimi i operacionit, i quajtur “Kontrolli”, është të përmbajë zgjerimin territorial të Comando Vermelho, grupit më të madh kriminal në shtetin e Rio de Janeiro-s. Baza e tij e operacioneve është në favelat e qytetit, por ndikimi i tij shtrihet në të gjithë vendin. Strategjia bazohet në një lloj “nacionalizimi” të aktiviteteve të tij. Grupi bashkëpunon me bandat lokale në rajone të ndryshme të Brazilit dhe u ofron strehim trafikantëve të drogës nga shtete të tjera brenda komuniteteve që kontrollon në Rio. Udhëheqësi dhe njeriu më i kërkuar, Edgar Alves Andrade, i njohur si Doca da Penha, mbetet i lirë, edhe pse kundër tij janë në pritje njëzet urdhër-arreste për më shumë se njëqind vrasje.
Anëtarët e qeverisë së presidentit Lula da Silva besojnë se deklaratat e guvernatorit të Rios, që pretendon se kriza e sigurisë është për shkak të mungesës së mbështetjes federale, janë një manovër politike nga Castro për të parandaluar zgjedhjet e vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)
