“Lufta me Iranin pas gjyqit të Netanyahut”. Eksperti zbardh prapaskenat: Kryeministri izraelit rrezikon burgun, prandaj nis sulme

Nga A2 CNN
14 Qershor 2025, 20:44 | Bota

Lufta Izrael-Iran ka bërë që e gjithë botë të mbajë frymën, për shkak të ndërlikimeve rajonale dhe globale që ajo sjell. Tashmë prej dy ditësh, dy shtetet po shkëmbejnë sulme me raketa. Ndërsa Izraeli ka goditur bazat bërthamore dhe ato ushtarake të Iranit, edhe Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar raketa drejt Izraelit, përfshi edhe drejt selisë qendrore të Forcave të Mbrojtjes, IDF.

Por pavarësisht se konflikti rrezikon të tërheqë edhe “peshat e rënda” të botës, për publicistin Floriar Arapi, e gjithë kjo luftë po bëhet vetëm për të shpëtuar një person, Benjamin Netanyahun. “Sa herë që fillon një gjyq, fillon një luftë. Para dy muajsh, kur rifilluan luftimet në Gaza, rifilluan një ditë pas gjyqit të Netanyahut”, tha Arapi i ftuar në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Por a mund të jetë gjithë kjo luftë e madhe vetëm për fatin e një personi? Për Arapin, po! “Ai është drejtuesi i atij shteti. Dhe fatkeqësisht, e vetmja gjë që po e mban në pushtet dhe me shumë gjasa edhe jashtë burgut - sepse po ra nga posti i kryeministrit do të vijë një qeveri tjetër dhe do ta dorëzojë te Gjykata Ndërkombëtare, ose do rrijë i fshehur - po e bën këtë gjë edhe për pushtetin e vet. Është kërcënim për sigurinë rajonale dhe globale”, u shpreh ai.

Për çfarë akuzohet Netanyahu?

Procesi gjyqësor ndaj Benjamin Netanyahut nisi në vitin 2020 dhe përfshin akuza për korrupsion, mashtrim dhe shkelje besimi. Ai akuzohet se ka pranuar dhurata luksoze nga biznesmenë të pasur dhe ka ofruar favore në këmbim të mbulimit pozitiv në media, shkruan A2 CNN. Rasti më i rëndësishëm, i njohur si “Çështja 4000”, përfshin marrëdhënien e tij me kompaninë e telekomunikacionit Bezeq. Netanyahu i ka mohuar të gjitha akuzat dhe i ka quajtur ato një “gjueti shtrigash” politike. Procesi ende vazhdon dhe ka pasur vonesa të shumta, duke krijuar tensione të forta në politikën izraelite.

Çfarë po ndodh mes Izraelit dhe Iranit?

Të premten, Izraeli nisi një sulm masiv ajror me mbi 200 avionë ndaj rreth 100 objektivave në Iran, duke goditur objekte ushtarake dhe bërthamore në Natanz, Esfahan, Tabriz e tjera, në operacionin “Rising Lion” që rezultoi me rreth 78 të vrarë (përfshirë gjeneralë dhe shkencëtarë) dhe mbi 320 të plagosur.

Irani u përgjigj menjëherë duke lëshuar mbi 150 raketa balistike dhe më shumë se 100 dronë drejt Izraelit, duke vrarë civilë në Tel Aviv dhe Jerusalem, edhe pse sistemet e mbrojtjes antiraketore Iron Dome interceptuan shumicën e sulmeve.

Seria e dytë e goditjeve izraelite vazhdoi të shtunën. IDF tha se kishte eliminuar mbi 20 zyrtarë të lartë iranianë dhe kishte goditur bazat dhe objekte të sistemit të mbrojtjes ajrore të Iranit.

Si pasojë, zhvillimet kanë ndërprerë bisedimet bërthamore iraniano-amerikane, ndërsa çmimi i naftës dhe arit ka pësuar rritje të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos