I dërguari special i SHBA-së, Keith Kellogg, mbërriti sot në Kiev. Lajmin për vizitën e tij e dha këshilltari kryesor i Presidentit ukrainas Andriy Yermak, pas njoftimit të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për dërgesat e reja të sistemeve të mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ në vend.
“Ne e mirëpresim ngrohtësisht të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, në Ukrainë. Paqja përmes forcës është parimi i Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe ne e mbështesim këtë qasje”, tha Yermak në një postim në aplikacionin Telegram.
Kellogg udhëtoi sot për në Kiev për të diskutuar sigurinë dhe sanksionet kundër Rusisë, vuri në dukje këshilltari kryesor i presidentit ukrainas.
“Mbrojtja, forcimi i sigurisë, armët, sanksionet, mbrojtja e popullit tonë, forcimi i bashkëpunimit midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara - ka shumë çështje për të diskutuar”, tha gjithashtu Yermak në aplikacionin e mesazheve. (A2 Televizion)