VIDEO| Trump kërcënon Putinin, sulmi ndaj Rusisë dhe frika bërthamore

Nga A2 CNN
13 Korrik 2025, 19:57 | Bota

Iu deshën më shumë se 7 muaj si president për të kuptuar se Putin nuk dëshiron paqe. Lideri amerikan, Donald Trump, mësoi kush ishte i keqi dhe i miri në luftën e nisur nga Rusia kundër Ukrainës.

Pasi ndërhyri me bomba 13 tonëshe për të rivendosur paqen e trazuar në Lindjen e Mesme, kreu i Shtëpisë së Bardhë po llogariste zgjidhjen edhe të një tjetër konflikti në botë. Por një telefonatë me Kremlinin e solli atë me këmbë në tokë dhe biseda e shkuar keq me presidentin rus, Vladimir Putin, e zemëroi Trumpin deri në pikën sa ndryshoi edhe fjalët për të. Në ditët e para të presidencës e vlerësonte si një lider që dëshironte paqen, tek paralajmërimet serioze për të ndaluar sulmet në Ukrainë, tek pakënaqësitë zyrtare për mungesën e progresit në negociatat e paqes, e deri tek ashpërsimi i gjuhës së papërshtatshme se ishte ngopur me broçkullat e Putinit. Një audio ekskluzive e publikuar nga CNN zbulon një anë tjetër të negociatave që bën Trump pas dyerve të mbyllur. “Nëse vazhdon në Ukrainë, nuk kam alternativë tjetër zoti Putin, do ta bombardoj ashpër Moskën!”, ishte kërcënimi që republikani i kishte drejtuar liderit të Kremlinit, të cilin e pohon vetë në audion sekrete që i përket vitit 2024 në një event për mbledhjen e fondeve të fushatës. Por çfarë sinjalizon i gjithë ky ndryshim në deklaratat publike dhe të fshehta të presidentit të botës së lirë?

“Putinit i thashë: nëse futesh në Ukrainë, do ta bombardoj rëndë Moskën. Po të them sepse nuk kam zgjidhje tjetër. Më pas ai më tha: nuk të besoj. Por e di se ai më besoi mua në masën 10 për qind”, Audio e Donald Trump.

Trump më vonë pretendoi se një paralajmërim të ngjashëm ia kishte dhënë edhe presidentit të Kinës, Xi Jinping, lidhur me një pushtim të mundshëm të Tajvanit, duke i thënë atij se Shtetet e Bashkuara do ta bombardonin Pekinin si kundërpërgjigje. “Ai mendoi se unë jam i çmendur”, u shpreh Trump, përpara se të pohojë se me të nuk kishte patur kurrë një problem. Deklaratat dhe audio e publikuar nga CNN tregojnë anën tjetër të medaljes së presidentit amerikan, praktikisht mënyrën se si ai negocion pas dyerve të mbyllura. Kremlini ka reaguar lidhur me këtë kërcënim të lëshuar nga Trump, gjuha e të cilit ka ndryshuar në drejtim të Vladimir Putin. Rusia thotë se nuk është e garantuar vërtetësia e artikullit të publikuar nga CNN për kërcënimin me bombardim të Moskës. “Këto kohë ka më shumë lajme false se sa informacion të vërtetë. Megjithatë mund të konfirmoj se në atë kohë nuk kishte bisedime telefonike mes Trump dhe Putin. Po flasim për një kohë kur Trump nuk ishte president i Shteteve të Bashkuara”, u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ky i fundit komentoi edhe kritikat e forta që erdhë nga Kreu i Shtëpisë së Bardhë, në drejtim të presidentit rus, duke nënvizuar se Moska është e qetë lidhur me deklaratat e forta. “Vazhdojmë që të përmirësojmë marrëdhëniet e thyera mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Peskov.

“Frustrimi është fjala që më vjen ndërmend për këtë situatë. Trump ka folur me Putinin 6 herë. Kanë kaluar rreth 6 muaj që kur Trump erdhi në detyrë dhe është përpjekur t'i japë fund kësaj lufte, dhe në thelb ai nuk ka asgjë për të treguar për këtë. Putini jo vetëm që nuk është i gatshëm të bëjë paqe, por ka intensifikuar fushatat e bombardimit të Ukrainës. Dhe kështu mendoj se ajo që po shihni këtu është se Trump thjesht nuk ka më durim. I kam dhënë këtij djali një shans të mirë për të bërë paqe, dhe ai nuk e ka marrë ende shkopin. Mendoj se ndoshta disa gjëra të tjera janë në lojë. Njëra është se ai pati një samit shumë të mirë të NATO-s, dhe po mendoj se prapa skenave, të gjithë i thanë Presidentit Trump: Mos e vendosni Ukrainën nën presion. Dhe gjëja e tretë që mund të jetë në lojë këtu është Irani, ku Trump mori rrezikun për t'u bashkuar me Izraelin në goditjen e objekteve bërthamore të Iranit, dhe kjo me të vërtetë ka funksionuar. Tani kemi një peizazh krejt të ri diplomatik që po hapet në Lindjen e Mesme, dhe mendoj se Trump e kupton tani. Ai duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Rusinë nëse do të arrijë një marrëveshje në Ukrainë. Ajo që ndodhi këtu është se keni një grup në Pentagon të udhëhequr nga shefi i politikës, emri i tij është Bridge Colby, i cili për disa vitet e fundit ka thënë se duhet të ndalojmë dërgimin e armëve në Ukrainë. Duhet të përqendrohemi në sfidën e madhe të kohës sonë, dhe kjo është Kina. Dhe mendoj se ai është personi që tha, hej, rezervat po mbarojnë. Duhet t'i pezullojmë këto transferime armësh që janë në pritje. Nëse Trump e dinte për këtë, është e paqartë, por mendoj se është e qartë se kur Trump mori vesh dhe u frustrua pasi telefonata me Putinin nuk shkoi mirë dhe pastaj Putini intensifikoi fushatën e bombardimeve, ai tha, jo, do ta riaktivizoj atë rrjedhë dhe tani duhet të presim dhe të shohim. Tani, nëse e shikoni Trumpin, lexoni gjuhën e trupit të tij, atij po i mbaron durimi dhe mendoj se e kupton që nëse do të marrë një marrëveshje nga Putini, Ukraina duhet ta ndalojë Rusinë në fushën e betejës. Që Ukraina ta ndalojë Rusinë në fushën e betejës, do të duhet një rrjedhë e vazhdueshme e armëve amerikane dhe europiane. Mendoj se varet pak a shumë nga sistemi i armëve për të cilin po flasim, por nuk ka dyshim që Shtetet e Bashkuara e kanë lejuar kompleksin e tyre ushtarak-industrial të atrofizohet deri në atë pikë sa thjesht nuk mund të shtypë një buton dhe të prodhojë më shumë raketa Patriot ose më shumë artileri 155 milimetra. Dhe Europa është në të njëjtën situate”.

Zhvillimi tjetër që po konsiderohet pozitiv është afrimiteti që po ndodh mes presidentit Trump dhe homologut të tij nga Ukraina. Të gjithë e mbajmë mend atë takimin e parë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë kur lideri i botës së lirë vuri në siklet Volodymyr Zelenskit, me kritika të forta që t’i kthente paratë Amerikës dhe të mos kërkonte më armatime të reja. Dollarët u kthyen, jo në formën e parave të thata, por duke i dhënë akses Shteteve të Bashkuara në pasuritë nëntokësore të Ukrainës. Dalë nga dalë, Uashingtoni kuptoi që në këtë luftë, Kievi ishte pala aleate dhe strategjike, ndërsa Moska agresori që vazhdon të marrë jetë njerëzish të pafajshëm. Ndryshimi i kursit tashmë ka nisur, por e gjeti Pentagonin të papërgatitur. Urdhëri nga presidenti Trump për Departamentin e Mbrojtjes që të vazhdojë dërgesat e armëve në Ukrainë, nxori në sipërfaqe një vendim që sekretari Pete Hegseth, e kishte marrë pa miratim nga Shtëpia e Bardhë. Mediat amerikane raportojnë se Presidenti Trump po shqyrton opsionet e dërgimit të një sistemi shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, pasi u zotua ditët e fundit për të forcuar Kievin kundër sulmeve ruse. Gjithashtu kërcënoi direkt Putinin se e presin sanksionet e rënda nëse nuk ulet në tryezë që të pranojë paqen. Por si duhet të lexohen këto ndryshime në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe çfarë sinjalesh dërgohen për Kremlinin?

“Deri në vjeshtë, ne e kuptojmë se kemi rezerva. Ushtria, gjithmonë, si parazgjedhje, së pari grumbullon rezerva dhe pastaj i përdor gradualisht ato. Dhe për këtë arsye sot është e pamundur të braktisim plotësisht sistemin amerikan anti-raketor, veçanërisht Paktin Patriot-3 dhe Patriotët e tjerë, as inteligjencën amerikane. Pikërisht mbrojtja nga raketat, ato balistike, për fat të keq nuk mund të zëvendësohet nga kompleksi SAMP/T, një bateri franko-italiane, i vetmi sistem i prodhuar në Europë që mund të ndërpresë raketat balistike. Për sa i përket sasisë, sistemet Patriot janë më të përhapurat dhe më efektivët, por prapëseprapë, është një sistem për forcat e armatosura. Nëse ndonjë administratë amerikane vjen tani dhe thotë 'ne do ta ndryshojmë këtë marrëveshje, ne po e anulojmë këtë marrëveshje, ne nuk do t'i përmbushim detyrimet tona kontraktuale', atëherë lind e njëjta pyetje si këtë dimër, kur tashmë kishim një ndalesë të armëve, mos harroni. A janë SHBA-të një partner i besueshëm? Sot, çështja e dërgimit të armëve në Ukrainë është një çështje shumë më e gjerë, kjo është më shumë një çështje globale sesa siguria europiane, dhe Ukraina është gurthemeli i vetë strukturës së sigurisë europiane”, tha Serhi Kuzan | Qendra për Bashkëpunim dhe Siguri, Ukrainë.

Ndërsa fjalët hidhen sa andej këndej nga më të pushteshmit e globit, në Ukrainë flakët e luftës nuk janë shuar. Situata në terren vazhdon që të ndryshojë vazhdimisht, por vetëm në favor të agresorit, Rusisë. Aktet e luftës ndërkohë nuk po ndalin, me Moskën që zhvilloi sulmin më të madh ndonjëherë me mbi 700 dronë e raketa të lëshuara në Kiev e rajone të tjera. Viktima, të plagosur dhe dhumë dëme materiale, pasoja të cilat bindin edhe më shumë Uashingtonin që të dalë në ndihmë të Ukrainës. Përpara se të ndryshojë mënyrën e artikulimit, Trump vlerësonte se realiteti në terren nuk mund të ndyshohet në tryezën e negociatave për paqe, pra që rajonet e pushtuara dhe aneksuara do t’i mbeten Rusisë. Nuk dihet nëse dhe kjo do të ndryshojë, por Ukraina në tavolinë kërkon që kufijtë të mbeten ato që janë përcaktuar në Kombet e Bashkuara, që përfshijnë edhe Krimenë. Mes pasigurisë së ndarjes apo një vendi të bashkuar, presidenti Zelenski po kërkon me ngulm që të marrë rublat ruse të sekuestruara për të rindërtuar vendin e tij të shkatërruar me themel nga raketat, bombat dhe dronët e lëshuar nga Ushtria e Putinit. Por çfarë po ndodh realisht me konfliktin Rusi-Ukrainë?

Në një botë që tundet nga pasojat e luftës në Ukrainë, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet jo vetëm vendimtar, por edhe historikisht përcaktues për fatin e paqes dhe stabilitetit global. Ndërsa fronti i luftës vazhdon të marrë jetë dhe të trazojë ekuilibrat ndërkombëtarë, pyetja që ngrihet me forcë është: çfarë kursi do të ndjekë Amerika në muajt dhe vitet që vijnë? Në veçanti, si do të ndryshojë ky rol nëse presidenti Donald Trump, me retorikën e tij të ashpër dhe shpesh të paparashikueshme, vendos të thellojë distancimin nga qëndrimet tradicionale të Shtëpisë së Bardhë dhe të godasë me kritika të forta Rusinë? A është bota përpara një përplasjeje direkte mes dy superfuqive bërthamore – një skenar që deri më tani është shmangur me kujdes, por që gjithnjë e më shumë duket se po shfaqet në horizont si një rrezik real? Dhe nëse përshkallëzimi bëhet i pashmangshëm, kush e ndalon rrëshqitjen drejt një katastrofe globale? Si do të arrihet paqja në këtë fazë të tensionuar, çfarë po bën Amerika në terrenin diplomatik dhe ushtarak, dhe a ka ende dritë në fund të tunelit për një zgjidhje që shmang katastrofën? Një betejë mes luftës dhe arsyes, teksa bota mban frymën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos