
Lufta amerikane ndaj narkotrafikut mund të kalojë dhe brenda Venezuelës. CNN, duke cituar 3 zyrtarë të ndryshëm amerikanë, raporton se presidenti Donald Trump po planifikon të sulmojë lokacione të bandave të kokainë dhe rrugët e trafikut të drogës në shtetin e drejtuar nga Nicolas Maduro.
Pavarësisht raportimeve, burimet sqarojnë se Trump nuk e ka marrë ende vendimin nëse do t’i zbatojë ato plane, ndërsa qasja diplomatike nuk është përjashtuar akoma. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën thekson se Venezuela nuk është një vend prodhues domethënës të Kokainës. Ushtria amerikane ka shënjestruar prej javësh anijet e dyshuara me drogë në Karaibe, përcjell A2 CNN. Sulmi i fundit vrau 6 persona, ndërsa ishte mjeti lundrues i dhjetë që hidhej në erë. Ndërkohë, administrata amerikane ka akuzuar shpesh presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, se është i lidhur drejtpërdrejtë me trafikun e drogës.
Por OKB thotë se shumica e përbërësit kryesor të kokainës, vjen nga Kolumbia, Peruja dhe Bolivia. Megjithatë, Trump ka dërguar një grup me luftanije sulmuese në Karaibe, ndërsa shton presionin ndaj Venezuelës. Pentagoni sqaron se qëllimi është “të shkatërrojë organizatat kriminale transnacionale dhe të luftojë narko-terrorizmin”. Grupi sulmues Gerald R Ford është pranë Kroacisë, mbi 5 mijë milje larg Karaibeve. Do të duhen ditë që të bëhet gati në pozicione luftuese, ndërsa gjatë lundrimit do të kalojë dhe pranë Shqipërisë. (A2 Televizion)
