Luftë inteligjencash, CIA rrëzon gjetjet e Pentagonit për sulmet në Iran

Nga A2 CNN
26 Qershor 2025, 07:17 | Bota

Luftë inteligjencash, CIA rrëzon gjetjet e Pentagonit për sulmet

Kreu i CIA-s deklaroi se sulmet ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit i kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke i kthyer ato vite pas. John Ratcliffe, drejtori i inteligjencës amerikane, theksoi se disa nga qendrat kryesore si Natanz, Fordo dhe Isfahan janë shkatërruar dhe do të duhen vite për t’i rindërtuar. Ai bazoi deklaratat e tij në burime të konsideruara të besueshme nga CIA.

Ky vlerësim bie ndesh me një raport paraprak të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së Pentagonit, i cili sugjeronte se vetëm disa komponentë të programit bërthamor iranian ishin dëmtuar dhe se ndikimi i përgjithshëm ishte i kufizuar në disa muaj. Presidenti Donald Trump reagoi ashpër ndaj këtij raporti, duke e quajtur atë të pasaktë dhe të manipuluar nga media e “lajmeve të rreme”. Ai konfirmoi se sulmet kishin “shkatërruar” plotësisht kapacitetet bërthamore të Iranit.

Ndërkohë, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, përkrahu vlerësimin e CIA-s dhe tha se objektet kryesore duhet të rindërtohen nga e para, çka do të marrë vite. Operacioni përfshiu 125 avionë luftarakë dhe imazhet satelitore tregojnë dëmtime të dukshme në hyrjet e objekteve në Fordo dhe Isfahan. Megjithatë, nuk është e qartë nëse infrastruktura e vendosur në thellësi është shkatërruar.

Zyrtarë amerikanë paralajmëruan se vlerësimet janë paraprake dhe mund të ndryshojnë me informacionet e reja. Ndërkohë, Irani konfirmoi dëmet, por disa zyrtarë iranianë thanë se nuk pati dëm të pakthyeshëm. Shefi i OKB-së për armët bërthamore sugjeroi që Irani mund të ketë zhvendosur uraniumin e pasuruar përpara sulmeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos