Konferencën e shumëpritur për shtyp në samitin e NATO-s në Hagë, presidenti Donald Trump e shfrytëzoi për të lëvduar veten dhe administratën e tij, lidhur me vendimet e marrë na javën dramatikë për lindjen e mesme, dhe të gjithë botën. Duke theksuar suksesin e madh të operacionit ushtarak kundër Iranit, ai ripërsëriti se i gjithë programi bërthamor ishte asgjësuar.
Sulmoi ashpër mediat amerikane, përfshirë Nju Jork Times dhe CNN, që sipas tij përhapën lajmin e rremë se impianti bërthamor në Fordow nuk ishte shkatërruar nga bombat bunker shpërthyese. Mediat në fakt citonin një raport të inteligjencës amerikane.
Ai e krahasoi sulmin me atë në Hiroshima, dhe tha se i kishte dhënë fund luftës. Trump njoftoi gazetaret se SHBA do të takohej me Iranin javën e ardhshme mbi një marrëveshje të mundshme bërthamore, edhe pse siç pohoi vazhdimisht, nuk beson se një ujdie e tillë është e nevojshme tashme, shkruan A2 CNN.
"Do të flasim me ta javën tjetër, me Iranin. Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, nuk e di. Por unë, nuk mendoj se është aq e nevojshme. Ata patën një luftë, luftuan, tani po kthehen në botën e tyre. Nuk më intereson nëse kam një marrëveshje apo jo. Ne e shkatërruam programin bërthamor, me fjalë të tjera, është asgjësuar. Thashë që Irani nuk do të ketë armë bërthamore - mirë, ne e hodhëm në erë”.
Sa i përket luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, Trump tha se beson se Putin është vërtet i interesuar t’i japë fund luftës. Megjithatë në një pohim kontradiktor pohoi se Rusia mund të ketë ambicie territoriale edhe përtej Ukrainës, raporton A2 CNN.
“Po ka mundësi që të ketë. Por di dhe një gjë tjetër. Dëshiron një zgjidhje. Më telefonoi më herët dhe më tha a mund të të ndihmoj me Iranin. I thashë, jo. Mund të më ndihmosh me Rusinë. E shoh si një person, të këshilluar keq. Mendoja se do e kishim zgjidhur tashmë”.
Dakordësinë e liderëve të NATO-s për të rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë në 5 përqind të GDP-së, Trump e cilësoi një fitore të madhe, për të cilën nuk hezitoi ti merrte meritat. Megjithatë, ai kërcënoi të ndëshkonte Spanjën, pasi ministri Pedro Sanchez, deklaroi se mund t’i përmbushte angazhimet ndaj NATO-s, edhe duke shpenzuar më pak se objektivi i ri prej 5%.
Në një deklaratë që shkaktoi befasi, Trump tha se gjatë javëve të fundit kishte zgjidhur një sërë konfliktesh te tjera, përfshirë atë mes Kosovës dhe Serbinë, duke ndalur Beogradin.
“Ndalëm Serbinë që ishte gati të bënte diçka”. (A2 Televizion)