Macron premton ndihmë ushtarake 2 miliardë dollarë në Ukrainë: Rusia shtrembëron marrëveshjet dhe vijon bombardimet

Nga A2 CNN
26 Mars 2025, 20:28 | Bota

Macron premton ndihmë ushtarake 2 miliardë dollarë në

Presidenti francez Emmanuel Macron ka hedhur akuza të forta ndaj Rusisë, gjatë takimit që zhvilloi me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky në Paris.

Mësohet se Macron e akuzoi Rusinë për shtrembërim të marrëveshjeve që rezultojnë nga negociatat e armëpushimit në Ukrainë.

Sipas mediave të huaja, Macron tha: “Kam vënë re sot se Rusia tundohet vazhdimisht të riinterpretojë atë që diskutojmë dhe biem dakord”.

Pavarësisht deklaratave të Moskës për qëllime paqësore, Macron u ankua se forcat ruse vazhdojnë të godasin ashpër territorin ukrainas, përfshirë objektivat politike. “Ne i dënojmë këto sulme”, theksoi ai.

Presidenti francez njoftoi se vendi i tij do të ofrojë ndihmë ushtarake shtesë prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën, në mënyrë që të forcojë mbrojtjen e Kievit kundër pushtimit rus, shkruan A2 CNN.

Ai theksoi se disa nga pajisjet e reja që do të dërgohen përfshijnë raketa antitank, raketa tokë-ajër dhe drone, duke theksuar: "Kjo ka të bëjë me Ukrainën".

Macron theksoi gjithashtu se Moska nuk mund të jetë ajo që do të diktojë kushtet e një paqeje të qëndrueshme.

Siç tha ai, kushtet për përfundimin e luftës nuk mund të përcaktohen nga agresori, por duhet të dalin përmes një dialogu të drejtë dhe të qëndrueshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos