Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, deklaroi se vendi i tij zotëron 5,000 raketa të prodhuara në Rusi tokë-ajër të lëvizshme për t'iu kundërvënë kërcënimit ushtarak amerikan dhe pranisë së forcave amerikane të vendosura në Karaibe.
Në një ceremoni të transmetuar në televizion me zyrtarë të lartë ushtarakë të mërkurën, Maduro tha se Venezuela ka raketa me rreze të shkurtër veprimi Igla-S të prodhuara në Rusi, duke i përshkruar ato si një komponent kyç të rrjetit të mbrojtjes ajrore të vendit.
"Çdo forcë ushtarake në botë e njeh fuqinë e Igla-S. Ne kemi jo më pak se 5,000 në pozicione kyçe të mbrojtjes ajrore për të siguruar paqen", tha ai, duke theksuar se raketat u vendosën për të mbrojtur sovranitetin kombëtar.
Maduro tha se armët do të sigurojnë që vendi të jetë i përgatitur t'i përgjigjet "çdo kërcënimi imperialist", duke shtuar se forcat e armatosura të Venezuelës janë "të gatshme të mbrojnë çdo centimetër të atdheut".
Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar prej kohësh sundimin e udhëheqësit të majtë dhe administrata e Presidentit Donald Trump ka stacionuar një flotë të vogël detare pranë brigjeve të Venezuelës, për të cilën Uashingtoni thotë se është pjesë e një operacioni kundër narkotikëve.
Avionët luftarakë amerikanë kanë shkatërruar disa motoskafe, të cilat pretendohen se po transportonin narkotikë nga Venezuela drejt Shteteve të Bashkuara, akuza që Karakasi i mohon.
Zyrtarët venezuelianë i kanë dënuar operacionet e SHBA-së si shkelje të sovranitetit të vendit, duke akuzuar Uashingtonin se po përdor misionet kundër drogës si pretekst për agresion. (A2 Televizion)