Venezuela ka nisur një stërvitje të madhe ushtarake, duke ekspozuar avionët e saj luftarakë të prodhimit rus, në një demonstrim force ndaj Shteteve të Bashkuara mes tensioneve në rritje mbi praninë e anijeve luftarake amerikane në Karaibe.
Më shumë se 2500 ushtarë janë vendosur në ishullin La Orchila për manovrat “Sovereign Caribbean 200”, të cilat përfshijnë operacione ajrore, detare dhe tokësore. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Vladimir Padrino, në stërvitje marrin pjesë 12 anije luftarake të tipeve të ndryshme, 22 avionë dhe rreth 20 mjete lundruese, shkruan A2 CNN. Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror treguan zbarkime të trupave me mjete amfibe, ndërsa luftanijet dhe avionët kryenin manovra pranë ishullit.
Avionët luftarakë Sukhoi Su-30 MK2 të pajisur me raketa ruse kundër anijeve Kh-31 “Krypton” gjithashtu kanë marrë pjesë në stërvitje. Forcat Ajrore Venezuelase postuan një video ku avionët shfaqen me raketat e varura nën krahë, më pas duke fluturuar mbi det. Sipas instituteve ndërkombëtare të mbrojtjes, Venezuela zotëron rreth 21 avionë të këtij modeli, por nuk dihet sa janë ende funksionalë për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së pjesëve të këmbimit.
Stërvitjet vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA kishte shkatërruar tre anije në Karaibe, të akuzuara për trafik droge nga Venezuela. Sipas Uashingtonit, njërën prej tyre e lidhin me bandën venezuelase “Tren de Aragua”, duke raportuar 11 të vrarë në një nga operacionet. Administrata e Trump i cilësoi objektivat si “narkoterroristë”.
Ndërkohë, presidenti Nicolás Maduro ka akuzuar SHBA-në se përdor luftën kundër drogës si justifikim për të përmbysur regjimin e tij. Ai ka deklaruar se “asnjë perandori nuk do të prekë tokën e shenjtë të Venezuelës”, duke theksuar mobilizimin e miliona milicëve në vend. (A2 Televizion)