Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i hedh poshtë me vendosmëri idetë e qeverisë britanike për të njohur një shtet palestinez. "Nuk pajtohem me kryeministrin në këtë pikë", tha Trump në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik, Keir Starmer. Në të njëjtën kohë Trump theksoi se kjo ishte "një nga mosmarrëveshjet e pakta që kemi".
Sipas mediave Britania e Madhe është në prag të njohjes së një shteti palestinez. Në fillim të shtatorit qeveria britanike premtoi se do të njihte një shtet palestinez, nëse Izraeli nuk do të ndërmerrte "hapa thelbësorë" për të përmirësuar situatën në Rripin e Gazës.
Partia CSU nuk do të pranojë sanksione kundër Izraelit
Sipas kryetarit të partisë kristian-sociale, Markus Söder, partia CSU nuk do t'i mbështesë sanksione të mundshme kundër shtetit të Izraelit për veprimet e tij në Rripin e Gazës. "Unë gjithashtu refuzoj propozimet e Komisionit të BE-së për të vendosur sanksione ndaj Izraelit", tha Söder për gazetën "Münchner Merkur".
"Partia CSU nuk do të pajtohet me sanksione ose njohje të njëanshme të shtetit palestinez, as edhe në nivel federal", shtoi ai. Ai mbështet ndershmërinë në marrëdhëniet me Izraelin dhe gjithashtu edhe kritikat ndaj veprimeve të qeverisë izraelite. "Por ndershmëria nuk duhet të errësojë miqësinë", tha Söder. DW (A2 Televizion)