
Gjashtë emigrantë të jashtëligjshëm humbën jetën, ndërsa tre të tjerë dhe drejtuesi i automjetit u plagosën në një aksident afër qytetit bullgar në brigjet e Detit të Zi, Burgas.
Shefi i policisë kufitare, Anton Zlatanov tha se ngjarja ndodhi pak para mesnatës së të enjtes, kur policia u përpoq të ndalonte një furgon me targa rumune që transportonte nëntë emigrantë të cilët kishin hyrë në vend ilegalisht.
Ai shtoi se shoferi refuzoi disa herë të ndalonte pas sinjaleve të dhëna dhe, në përpjekje për të shmangur shiritat me gjemba të vendosur nga policia, humbi kontrollin e mjetit, gjë që çoi në aksidentin fatal.
Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Brendshme, furgoni ra në një liqen pasi shoferi refuzoi të ndalonte për kontroll gjatë një ndjekjeje mbrëmjen e 6 nëntorit. Fillimisht policia tentoi ta ndalonte atë në orën 21:30, por shoferi nuk iu bind. Pas dy përpjekjeve të tjera për të ndaluar automjetin, makina doli nga rruga në hyrje të Burgasit dhe përfundoi në liqen.
Video: 6 Undocumented Migrants Killed After Police Chase in Bulgaria https://t.co/g1wVaW5YL2 pic.twitter.com/YR8LpksjMl
— Cedar News (@cedar_news) November 7, 2025
Gjashtë persona humbën jetën, ndërsa shoferi rumun dhe tre emigrantët e mbijetuar morën ndihmën e parë në vendngjarje. Sipas të dhënave paraprake, emigrantët ishin nga Afganistani.
Bullgaria është një nga rrugët kryesore që ndjekin emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afganistani drejt Evropës. Vetëm një numër i vogël prej tyre synojnë të qëndrojnë në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian, pasi shumica e përdorin Bullgarinë si korridor tranziti në rrugën e tyre drejt perëndimit.
Zlatanov deklaroi se gjatë dy viteve të fundit janë neutralizuar deri në 20 grupe kriminale të organizuara që merren me trafikimin e emigrantëve.
“Zero migracioni nuk është i mundur, sepse këto janë procese globale. Megjithatë, kemi arritur të ulim presionin migrator me rreth 70% krahasuar me vitin e kaluar”, tha ai. (A2 Televizion)
