Nga kaosi te festa, nga bojkoti në stërvitje te fitorja në fushë! Vllaznia më në fund merr frymë, duke regjistruar suksesin e parë sezonal në kampionat, pikërisht në një moment kur kriza dukej se kishte pushtuar klubin shkodran.
Vetëm pak ditë para përballjes me Dinamon, situata te kuqeblutë ishte tensionuar ndjeshëm. Futbollistët bojkotuan dy seanca stërvitore, në shenjë proteste për pagat e prapambetura prej disa muajsh. Një situatë që ngriti pikëpyetje për gjendjen e skuadrës, në një periudhë kur rezultatet mungonin dhe presioni sa vinte e shtohej.Por në Shkodër, përgjigjja erdhi aty ku kishte më shumë rëndësi: në fushën e lojës.
Në debutimin e trajnerit të ri, Çaba Laszlo, Vllaznia mposhti Dinamon me rezultatin 1-0, duke ndërprerë serinë negative dhe duke marrë tri pikët e para të sezonit. Heroi i kuqebluve ishte Edon Murataj, i cili në minutën e 31-të realizoi një gol spektakolar me një goditje nga distanca, duke ndezur festën në stadiumin “Loro Boriçi”.
Në pjesën e dytë, Dinamo u përpoq të rikthehej në lojë, por shkodranët rezistuan dhe ruajtën avantazhin deri në fund. Madje, në minutat shtesë, kryeqytetasit protestuan për një penallti të pretenduar, por rezultati nuk ndryshoi. Një fitore që vlen më shumë se tri pikë për Vllazninë. Ajo rikthen shpresën në kampin shkodran dhe i jep trajnerit Laszlo një debutim pozitiv, pas një jave të mbushur me tensione dhe pasiguri. (A2 Televizion)