Katër persona janë arrestuar në kuadër të një operacioni të Prokurorisë së Posaçme kundër trafikimit të paligjshëm të emigrantëve në territorin e Shqipërisë. Për këtë çështje, SPAK ka kërkuar caktimin e pesë masave të sigurisë, të cilat janë miratuar nga Gjykata e Posaçme.
Sipas informacioneve paraprake, të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe transportimin e emigrantëve të paligjshëm, shkruan A2 CNN. Grupi dyshohet se organizonte lëvizjen e emigrantëve, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët hynin në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, përmes kufirit të gjelbër ose pikave të kalimit kufitar me Greqinë.
Më pas, emigrantët transportoheshin me automjete drejt kufirit me Malin e Zi, me synimin për të vijuar udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Hetimi i SPAK, i zhvilluar edhe në bashkëpunim me partnerë të tjerë, ka dokumentuar lëvizjet e personave të dyshuar, mënyrën e funksionimit të grupit, mjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve dhe komunikimet mes anëtarëve të tij.
Në kuadër të operacionit, Policia e Shtetit ka ekzekutuar katër nga pesë masat e sigurisë të miratuara nga gjykata. Ndërkohë, personi i pestë vijon të jetë në kërkim dhe policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij. (A2 Televizion)