
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të hënën se Rusia nuk po respekton armëpushimin për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump gjatë fundjavës.
Në një intervistë për televizionin Fox, Zelensky tha se Rusia ka vijuar sulmet ndaj objekteve energjetike në Ukrainë, pavarësisht njoftimit për ndërprerjen e goditjeve nga të dyja palët.
“Mesazhi i Rusisë ishte absolutisht i qartë: ata nuk dinë asgjë për ndërprerjen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike”, u shpreh presidenti ukrainas, duke i cilësuar sulmet si përgjigjen e Vladimir Putinit ndaj Trumpit.
Zelensky theksoi se Ukraina nuk kishte sulmuar objektet energjetike në territorin rus gjatë natës së kaluar, në respektim të njoftimit të presidentit amerikan.
“Ne nuk sulmuam, ndërsa Rusia sulmoi stacionet tona të benzinës, infrastrukturën energjetike dhe objekte të tjera”, deklaroi ai. (A2 Televizion)