Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar kontrolle në ambientet e paraburgimit në Elbasan, ku mbahet edhe Ergys Agasi, i dyshuar në kuadër të hetimeve për dosjen AKSHI.
Kontrollet janë kryer në orët e mbrëmjes, kur agjentët e BKH-së kanë ushtruar verifikime në disa prej qelive të sektorit ku qëndrojnë të paraburgosurit, raporton A2 CNN.
Sipas burimeve jozyrtare, gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar të paktën pesë aparate celularë, të cilët dyshohet se mbaheshin në mënyrë të paligjshme në ambientet e institucionit. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe dy karikues për telefona celularë.
Deri më tani, nuk ka një qëndrim zyrtar lidhur me operacionin. Sipas të njëjtave burime, asnjë nga të paraburgosurit, përfshirë Ergys Agasin, nuk ka pranuar se celularët i përkasin atij.
Aparatet e sekuestruara janë administruar nga agjentët e BKH-së dhe pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme, me qëllim identifikimin e përdoruesve të tyre dhe verifikimin e të dhënave që mund të përmbajnë.
Në kuadër të veprimeve hetimore, agjentët kanë administruar edhe regjistrat e hyrje-daljeve të institucionit, për të verifikuar personat që kanë hyrë në ambientet e paraburgimit dhe kanë zhvilluar takime me të paraburgosurit, përfshirë Ergys Agasin.
Hetimet synojnë të sqarojnë se si kanë përfunduar pajisjet telefonike në ambientet e paraburgimit dhe kush i ka përdorur ato. (A2 Televizion)