Një marrëveshje me Iranin mund të arrihet që këtë të hënë, por nëse nuk do të ketë ujdi, do ta zgjidhim në mënyrë tjetër luftën me Iranin. Është deklarata e sekretarit të shtetit Marco Rubio, i cili nga njëra anë sinjalizon dakordësi të shpejtë e nga ana tjetër kërcënon me rifillim të luftës, nëse Irani do të bëjë rezistencë ndaj kërkesave të SHBA, shkruan A2CNN.
Sipas Rubios, negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë diçka të fortë në tryezë, dhe se puna vijon. Sekretari i shtetit pohoi gjithashtu se pavarësisht marrëveshjes që mund të arrihet mes Uashingtonit dhe Teheranit, Izraeli do të ketë gjithmonë të drejtën të mbrohet.
“Ende jemi në proces. Siç thashë, mendonim se mund të kishim ndonjë lajm mbrëmë. Ndoshta sot. Siç tha presidenti, ai nuk po nxiton. Nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje të keqe. Do t’i japim diplomacisë çdo mundësi për të pasur sukses para se të shqyrtojmë alternativat. Dhe jam shumë i bindur- besoj se të gjithë duhet të jemi të bindur, se ose do të kemi një marrëveshje të mirë, ose do të na duhet ta zgjidhim ndryshe këtë çështje".
Deklarata e Rubios gjatë një vizite në Indi erdhi pasi presidenti amerikan deklaroi se kishte udhëzuar negociatorët të mos nxitonin drejt marrëveshjes, pak pasi kishte sugjeruar se një ujdi ishte e afërt. Siç thuhet, marrëveshja do të parashikonte një zgjatje 60-ditore të armëpushimit, rihapjen e ngushticës së Hormuzit dhe një plan për negociata të mëtejshme për programin bërthamor.
Mediat amerikane raportojnë se sipas informacioneve të inteligjencës, lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili ka mbetur i plagosur që në ditën e parë të luftës, është i fshehur në një zonë të izoluar, çka e bën të vështirë komunikimin e tij me të dërguarit iranianë. Kjo po çon në shtyrje të negociatave të paqes.
Çmimi i naftës ra ndjeshëm dhe bursat aziatike shënuan rritje të hënën me shpresën e një ujdie. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, tha në fundjavë se dy palët ishin shumë pranë dhe njëkohësisht shumë larg arritjes së një dakordësie. (A2 Televizion)