Një tjetër akt dhune tronditi qytetin Teocaltiche në Meksikë, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Bashkiak, José Luis Pereira, u qëllua për vdekje teksa po darkonte në një restorant peshku në një lagje të rrezikshme të shtetit Jalisco. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:57 të së hënës, shkruan A2 CNN. Autoritetet konfirmuan se Pereira kishte ndërruar jetë përpara mbërritjes së personelit mjekësor.
Senatori Alejandro Moreno e dënoi “vrasjen e pabesë” në rrjetin X, duke kritikuar paaftësinë e qeverisë federale dhe të Jalisco-s për të mbrojtur qytetarët. Ai kërkoi drejtësi të menjëhershme dhe veprime të ashpra kundër krimit të organizuar, i cili po terrorizon rajone të tëra të vendit. “Pasiguria po rritet ndërsa ata që duhet të na mbrojnë qëndrojnë duarkryq”, u shpreh ai.
Vrasja e Pereirës ndodhi vetëm dy javë pas ekzekutimit të shefit të policisë Ramón Grande Moncada. Administrata Bashkiake e Teocaltiche reagoi me zemërim në rrjetet sociale: “Populli ynë nuk mund të jetojë më në frikë dhe dhimbje. Mjaft me vdekjet, mjaft me vuajtjet!”
Ambasada Amerikane ka paralajmëruar qytetarët amerikanë të shmangin udhëtimet në Jalisco për shkak të nivelit të lartë të dhunës, rrëmbimeve dhe luftës mes bandave. Zyrtarët amerikanë madje kanë ndaluar udhëtimet në disa zona specifike të shtetit.
Situata në Jalisco është përkeqësuar ndjeshëm, me 1415 vrasje të regjistruara vetëm nga janari deri në shtator të vitit 2024. Dhuna vazhdon të marrë jetë njerëzish dhe të tronditë komunitete të tëra që kërkojnë vetëm të jetojnë në paqe dhe siguri. (A2 Televizion)