11 vdekje të tjera si pasojë e urisë janë raportuar në Gaza, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamas. Kjo e çon në 212 totalin e personave që kanë humbur jetën nga kequshqyerja në enklavën e copëtuar, përfshirë 98 fëmijë.
Ndërkohë të paktën 38 vetë u vranë dhe 491 u plagosën si rezultat i aktivitetit ushtarak të ushtrisë izraelite gjatë 24 orëve të fundit. Bilanci i viktimave vazhdon të rritet mes raportimeve se banorëve u është thënë te evakuohen nga qyteti i Gazës deri më 7 tetor të 2025, pas njoftimit të planit kontrovers të Izraelit për të marrë kontrollin e plotë të zonës.
Sipas mediave izraelite qeveria ka caktuar një afat 2 mujor para nisjes së operacionit ushtarak në qytetin kryesor të Gazës, që do të përkojë edhe me dy vjetorin e nisjes së luftës. Plani i ri, i aprovuar nga kabineti i sigurisë izraelite dhe i detajuar të premten liston 5 parime për ti dhënë fund luftës në Gaza, përfshirë marrjen e kontrollit të sigurisë në territor.
Raportimet në media bëjnë me dije se plani do te fokusohet fillimisht në pushtimin e qytetit të gazës, duke detyruar shpërnguljen e rreth 1 milion banorëve që gjenden atje, më në jug. Plani është kritikuar ashpër nga liderët botërore dhe ka nxitur reagime të forta edhe brenda izraelit, përfshirë nga zyrtarë ushtarak dhe familjarë të pengjeve që druhen për sigurinë e tyre.
Izraeli i ka refuzuar kritikat, me ministrin e Mbrojtjes Izrael Katz që tha se ato nuk do ta dobësojnë vendosmërinë e tyre. Korit të zërave kundër Izraelit nuk u është bashkuar SHBA, me presidentin amerikan Donald Trump që tha më herët gjatë javës se vendimi për të pushtuar ose jo enklavën bregdetare i takonte izraelit. (A2 Televizion)