Kabineti Politik dhe i Sigurisë në Izrael është mbledhur aktualisht në zyrën e kryeministrit në Jerusalem për të diskutuar planin e pushtimit të Gazës.
Benjamin Netanjahu pritet të kërkojë miratimin e kabinetit për të urdhëruar IDF-në të pushtojë plotësisht Rripin dhe që kabineti ta autorizojë atë dhe Ministrin e Mbrojtjes Israel Katz të marrin vendime mbi modalitetet e pushtimit.
Ndërkohë, pak para mbledhjes Netanjahu ka thënë për Fox News se Izraeli dëshiron ta çlirojë Gazën nga Hamasi, jo ta qeverisë atë.
"Ne duam të krijojmë një perimetër sigurie dhe t'ia dorëzojmë Gazën forcave arabe të cilat do ta qeverisin atë siç duhet", tha kryeministri izraelit.
Sakaq, gazetari i Axios, Barak Ravid duke cituar një zyrtar amerikan shkroi në platformën 'X' se “administrata Trump nuk e mbështet aneksimin e pjesëve të Gazës nga Izraeli”. (A2 Televizion)