Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper ka konfirmuar angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet në Ballkanin Perëndimor gjatë samitit të nivelit të lartë në Irlandën e Veriut.
Ajo mirëpriti ministrat e Jashtëm nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Në takimet më 8 dhe 9 shtator në kuadër të Procesit të Berlinit, Kosova është përfaqësuar nga ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla. Ndërkaq, Serbia u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq.
Në takimin në Kështjellën Hillsborou morën pjesë edhe aleatët evropianë, sikurse Franca, Austria, Greqia dhe Italia.
Në fillim të takimit më 9 shtator, Cooper dhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, mirëpritën përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor.
Brenda Kështjellës, Cooper tha se ky vend është simbol i paqes, përparimit dhe pajtimit pas procesit historik të paqes me Irlandën e Veriut në fund të viteve ’90.
Ajo u tha të pranishmëve se Mbretëria e Bashkuar “ka një angazhim të kamotshëm dhe të qëndrueshëm për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien në Ballkanin Perëndimor”.
“Ne e dimë se siguria në Ballkanin Perëndimor ndikon në sigurinë e gjithë Evropës dhe në sigurinë tonë këtu në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ajo.
“Dhe është një nder i madh të udhëheqësh këtë vit takimin e ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit dhe të jesh në gjendje ta presim këtë këtu në Irlandën e Veriut, në një vend kaq historik”.
Cooper iu referua “diskutimeve kuptimplota” të natës së kaluar mbi përvojat e Irlandës së Veriut, pothuaj tre dekada pas Marrëveshjes së Belfastit.
Ajo po ashtu tha se kanë kaluar 30 vjet nga Marrëveshja e Dejtonit në 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje, dhe tubimi në Kështjellën Hillsborou, sipas saj, është “një simbol i paqes, përparimit dhe pajtimit”.
Para samitit, Mbretëria e Bashkuar premtoi financim për forcimin e sigurisë së kufijve dhe trajnime për zbatimin e ligjit në Kosovë, si dhe mbështetje për përforcimin e mbrojtjes kibernetike kundër kërcënimeve të ndikimit nga Rusia në rajon.
Cooper gjithashtu njoftoi për investime për projekte që synojnë të luftojnë trafikimin e njerëzve në Ballkanin Perëndimor dhe rajone të tjera kyç.
Ballkani Perëndimor është rrugë kyç përmes së cilës migrantët udhëtojnë për në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar. Vetëm vitin e kaluar, janë regjistruar pothuajse 22.000 kalime të paligjshme në kontinent, sipas shifrave të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Ndryshe, Bashkësia ndërkombëtare, prej vitesh, bën përpjekje të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë kaluar nëpër luftëra të përgjakshme në vitet ’90, dhe t’i përafrojë ato me Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim ka iniciuar edhe Procesin e Berlinit në vitin 2014, i cili përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo vit, përfaqësuesit e tyre mblidhen në samite, së bashku me ata të vendeve partnere, dhe bëjnë marrëveshje e deklarata./ REL (A2 Televizion)