
Mbreti Charles dhe mbretëresha Kamila e Britanisë së Madhe, do të mbërrijnë sot në Shtetet e Bashkuara për një vizitë 4 ditore. Ky udhëtim ka marrë edhe më shumë rëndësi pas të shtënave gjatë darkës së gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe në një kohë tensionesh mes aleatëve të ngushtë, raporton A2 CNN.
Vizita, deri tani më e rëndësishmja dhe me profilin më të lartë gjatë fronit të Charles-it, shënon 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara nga sundimi britanik dhe është e para e një monarku britanik në këtë vend pas dy dekadash.
Ajo nis me një takim privat me Presidentin Donald Trump, i cili e ka quajtur veten admirues të familjes mbretërore, dhe përfshin një fjalim në Kongres si dhe një darkë madhështore në Shtëpinë e Bardhë. Donald Trump ka deklaruar se Mbreti Charles do të jetë ‘shumë i sigurt’ gjatë vizitës së tij, shkruan A2 CNN.
Bisedime të mëtejshme për sigurinë u zhvilluan mes Shtëpisë së Bardhë dhe Pallatit Buckingham pasi një person i armatosur arriti të depërtonte në një aktivitet ku ishte i pranishëm Trump në Uashington të shtunën.
I pyetur për ndikimin që kjo ka në sigurinë e vizitës mbretërore, presidenti amerikan tha se ambientet e Shtëpisë së Bardhë, qe do të vizitojë Mbreti Charles, janë ‘vërtet të sigurta’.” (A2 Televizion)