Me deve dhe Tesla Cybertruck të kuqe, pamje nga pritja madhështore e Donald Trump në Katar

Nga A2 CNN
14 Maj 2025, 20:49 | Bota

Me deve dhe Tesla Cybertruck të kuqe, pamje nga pritja madhështore e

Presidenti Donald Trump u prit ngrohtësisht në ndalesën e dytë të udhëtimit të tij katër-ditor në Lindjen e Mesme, teksa mbërriti në Doha të Katarit.

Sipas mediave të huaja, organizatorët donin të “vjedhnin përshtypjet” dhe e pritën me deve dhe makina Tesla Cybertruck të kuqe, në një shfaqje luksi dhe fuqie teknologjike.

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, e priti presidentin amerikan në një qilim të kuq, duke simbolizuar dimensionin zyrtar të vizitës. Autokolona e Trump, e shoqëruar nga një flotë kamionësh Tesla Cybertruck të kuq, kaloi nëpër rrugët e Dohas, dhe kjo veçori u interpretua si një shenjë respekti për këshilltarin e presidentit dhe drejtorin ekzekutiv të Tesla-s, Elon Musk.

Sapo autokolona mbërriti në Amiri Diwan, rezidencën e Emirit, Trump u prit nga dhjetëra deve dhe kuaj arabë, duke krijuar një skenë që të kujtonte diçka... të dalë nga një film hollivudian. "I vlerësoj shumë këto deve - ka kaluar ca kohë që kur kam parë deve si këto", komentoi Trump, duke treguar entuziazëm për pritjen.

Si pjesë e ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, të dy udhëheqësit ndoqën interpretimin e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Katarit, të ulur në kolltuqe luksoze të arta në një ceremoni çaji që theksoi solemnitetin e momentit, shkruan A2 CNN.

Emiri nuk mungoi të shprehte vlerësimin e tij të thellë për presidentin amerikan, duke deklaruar se ndihet "jashtëzakonisht i nderuar" dhe "tejet i gëzuar" për vizitën e tij, duke vënë në dukje se Trump është "Presidenti i parë amerikan që bën një vizitë zyrtare në Katar".

"E di që je njeri i paqes. E di që dëshiron të sjellësh paqe në këtë rajon. Ne të gjithë e dëshirojmë këtë dhe shpresojmë që këtë herë të bëjmë gjënë e duhur dhe të sjellim paqe në rajon", tha emiri, duke pranuar rolin e Katarit si ndërmjetës kyç në konflikte të ndryshme, përfshirë përpjekjet për t'i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Trump ia ktheu fjalët e ngrohta, duke e përshkruar Emirin si "mik"-un e tij dhe duke theksuar simbolikën e veçantë të takimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos