“Rishikimi i politikave dhe prioritetet e reja, që synojnë ripërtëritjen e premtimit të prosperitetit për të gjithë përballë sfidave të mëdha”. Ky ishte mesazhi kryesor i fjalimit të parë të Friedrich Merz si Kancelar në Bundestag , një javë pas marrjes së detyrës.
Ai premtoi gjithashtu se ushtria gjermane do të bëhet ushtria konvencionale më e fortë në Evropë.
“Që tani e tutje, qeveria gjermane do të sigurojë të gjitha burimet financiare që i nevojiten Bundeswehr-it për t'u bërë ushtria konvencionale më e fortë në Evropë", theksoi ai, duke shtuar se kjo është ajo që kërkojnë partnerët e Berlinit në BE dhe NATO.
Merz e vuri theksin te ekonomia dhe politika e jashtme, duke premtuar "përmirësim të dukshëm" për qytetarët deri në verë, ndërsa shprehu mbështetjen e tij për Ukrainën dhe Izraelin. Në të njëjtën kohë, ai e vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Olaf Scholz.
Duke iu referuar recesionit të vazhdueshëm të ekonomisë gjermane, kancelari gjermane foli për një "krizë ekonomike të paparë" që prek vendin, duke vënë në dukje se "kurrë në të kaluarën nuk kemi përjetuar një mungesë kaq të zgjatur të rritjes ekonomike".
Siç theksoi ai, efektet janë të dukshme në punësim, madje edhe në sektorë strategjikë, siç janë industria e automobilave, prodhimi i kimikateve dhe makinerive të mëdha.
"Qeveria federale po investon në krijimin e një shteti modern dhe një administrate dixhitale. Unë i përkas një brezi që përjetoi rritje të qëndrueshme. Megjithatë, shumë të rinj vënë në dyshim nëse premtimi i Ludwig Erhard për "prosperitet për të gjithë" është ende i vërtetë. Qeveria duhet t’i largojë këto dyshime dhe kjo është arsyeja pse po investojmë”, tha ai, duke theksuar se rritja e konkurrueshmërisë është një përparësi kryesore, ndërsa i bëri thirrje Bashkimit Evropian të zvogëlojë burokracinë.
Tregu i punës do të jetë një fushë qendrore për qeverinë e re gjermane, siç deklaroi Kancelari, duke theksuar qëllimin për të promovuar punën vullnetare pas moshës 67 vjeç, përjashtimin e orëve shtesë nga taksat dhe fleksibilitet më të madh në llogaritjen e orëve të punës, bazuar në javë dhe jo në ditë.
Megjithatë, në lidhje me pagën minimale, ai deklaroi se është "e realizueshme dhe e dëshirueshme" që ajo të rritet në 15 euro/ora deri në vitin 2026, por sqaroi se kjo "nuk do të garantohet ligjërisht", siç ka qenë deri më tani. Merz premtoi gjithashtu stimuj dhe investime për ndërtimin e ndërtesave të reja, me qëllim ofrimin e strehimit të përballueshëm.
Ne jemi një vend imigracioni, por...
"Gjermania është një vend imigracioni - kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet", vazhdoi Friedrich Merz. "Ne duam të mbetemi një vend miqësor që respekton veçanërisht ata që kanë ardhur këtu, jetojnë dhe punojnë me ne", shtoi kancelari.
Megjithatë, ai theksoi se Gjermania po lejon shumë emigrantë “me kualifikim të ulët”, gjë që tha se duhet të ndryshojë.
"Ne kemi nevojë për një politikë të re imigracioni në interes të mirëqenies së vendit tonë", tha ai, dhe gjithashtu iu referua "detyrës themelore të çdo qeverie gjermane për të siguruar ruajtjen e lirisë në vend".
“Kjo kërkon një politikë të brendshme që adreson në mënyrë efektive kërcënimet ndaj lirisë. Qytetarët meritojnë nivelin më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes. Ne kurrë nuk do të tolerojmë rritjen e agresionit dhe dhunës kundër forcave tona”, theksoi ai, duke iu referuar sulmeve të shpeshta ndaj oficerëve të policisë.
Mbështetje për Ukrainën, lëvdata për Scholz
Si një pikë qendrore të politikës së tij, Friedrich Merz përmendi luftën në Ukrainë dhe nevojën për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Gjermanisë.
"Ne të gjithë ndajmë dëshirën për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe të zbatueshme në Ukrainë. Më mirë sot se nesër", theksoi ai dhe foli për tre kushte për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.
“Ne nuk jemi të përfshirë në luftë, por nuk jemi palë të treta të painteresuara ose ndërmjetës neutralë", tha Mertz duke kërkuar pjesëmarrjen në mbështetjen e Ukrainës nga evropianët dhe amerikanët, dhe refuzimin e çdo dyshimi për një "paqe të diktuar" ose nënshtrim ndaj vendimeve ushtarake në dëm të Ukrainës.
"Rusia ka shkelur të gjitha rregullat që janë shkruar për bashkëjetesë paqësore", deklaroi ai, duke shtuar se rezultati i luftës do të përcaktojë gjithashtu nëse ligji dhe rendi apo fuqia ushtarake, tirania dhe ligji i më të fortit do të mbizotërojnë në Evropë. (A2 Televizion)