Lëvizja MAGA e Trump, duket se po depërton edhe në Europën Lindore. Një ligjvënës i së djathtës ekstreme mund të fitojë zgjedhjet presidenciale në Rumani, ndërsa sondazhet rendisin në vend të dytë dhe të tretë edhe 2 adhurues të MAGËS së Trumpit në zgjedhjet polake, në lëvizje politike që mund të thellojnë çarjet në Bashkimin Europian.
George Simion, një nacionalist që bën fushatë për ta bërë “Rumaninë madhështore sërish”, kundërshton ndihmën ushtarake në Ukrainë dhe është kritik ndaj liderëve të BE, fitoi raundin e parë të zgjedhjeve te 4 majit. Ai ka qenë në avantazh në shumicën e sondazheve në prag të balotazhit të 18 majit kundër kryebashkiakut centrist të Bukureshtit, Nicusor Dan.
Megjithatë sondazhi i fundit i nxjerr ata kokë më kokë. Diplomatë dhe ekspertë mendojnë se një fitore e Simion mund të destabilizojë shtetin anëtar të BE dhe NATO, duke reflektuar pasoje edhe në bllok, veçanërisht kur vjen puna për çështje që kërkojnë unanimitet.
“Zgjedhja e presidentit Trump i ka dhënë hov ose momentum këtyre partive. Mendoj se është për shkak se ideologjia e narrativës së Donald Trumpit në shumë aspekte përputhet me narrativën e këtyre populistëve të partive të djathta në BE. Dhe gjithashtu, kur bëhet fjalë për kritikën ndaj Bashkimit Evropian, kritikën ndaj elitave liberale globaliste, ky është një aspekt shumë i zakonshëm i narrativave të këtyre aktorëve”, tha analisti Bulcsu Hunyadi.
Nëse Simion fiton, populisti antiemigracion Victor Orman, një aleat i hershëm i Trumpit, dhe kryeministri sllovak Robert Fico, mund të fitojnë një aleat të ri në këshillin evropian, në vendimet që lidhen me ndihmat ndaj Ukrainës, energjisë, apo sanksioneve kundër Rusisë.
Kampi i tyre mund të zgjerohet edhe më tej në tetor nëse zgjedhjet parlamentare në Republikën Ceke rikthejnë ish-kryeministrin euroskeptik, Andrej Babis. Simion i ka ofruar mbështetjen edhe Karol Nawrocki, rival nacionalist i kryebashkiakut të Varshavës, Rafal Trzaskowski në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale polake të dielën.
Të martën ai mori pjesë në një tubim të Nawrocki, duke u thënë mbështetësve të tij se Trumpi ishte simbol i lirisë. Slawomir Mentzen nga partia e Konfederatës së të djathtës ekstreme, po ashtu fans i Trump, renditet i treti në sondazh. (A2 Televizion)