Pamje tronditëse, të publikuara së fundmi, tregojnë momentin kur disa roje amerikane, të kontraktuar për të mbikëqyrur një kamp ku shpërndahen ndihma në Gaza, qëllojnë drejt civilëve, madje edhe duke festuar.
Në video, shihet qartë zjarri me mitraloz në drejtim të civilëve që kërkonin ndihmë, ndërsa një zë në anglisht dëgjohet duke thënë: “Mendoj se e kapa njërin”. Më pas, një tjetër zë shton: “Bravo, djema!”.
"Hell yeah, boy!"
— The Cradle (@TheCradleMedia) July 3, 2025
US contractors in Gaza cheer after deliberately opening fire on aid-seeking Palestinians.
Source: AP pic.twitter.com/7mG0Wxxoky
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një nga qendrat e drejtuara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), një organizatë e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, por e kritikuar gjerësisht nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar, shkruan A2 CNN.
Një ish-kontraktor sigurie në këto qendra i tha BBC-së se kishte parë një roje në kullë vrojtimi që hapi zjarr me mitraloz ndaj një grupi grash, fëmijësh dhe të moshuarish që po largoheshin me ngadalë nga zona e ndihmave. Ai shtoi se një burrë palestinez ra përtokë dhe mbeti i palëvizur, ndërsa një tjetër roje, që ndodhej aty pranë, reagoi duke thënë: “Dreqi ta hajë, mendoj se e qëllove”. Pastaj ata qeshën.
Agjencia Associated Press gjithashtu raportoi se ka biseduar me dy kontraktorë të kompanisë UG Solutions, e cila është nënkontraktuar nga GHF për të ofruar siguri në qendrat e ndihmës. Ata pretendojnë se përdorimi i plumbave të vërtetë, granatave shpërthyese dhe gazit lotsjellës ndaj civilëve palestinezë të paarmatosur është i zakonshëm.
Sipas tyre, shumë nga rojet e sigurisë që punësohen në këto vende janë të pa kualifikuar, të pa verifikuar dhe veprojnë pa frikë nga pasojat, ndërsa janë të pajisur me armatim të rëndë.
Fotografi dhe video të publikuara tregojnë turma të mëdha civilësh që detyrohen të kalojnë nëpër korridore të ngushta të krijuara nga dherat, ndërsa rojet qëndrojnë në lartësi duke i vëzhguar.
Izraeli ka mohuar se civilët janë qëlluar me armë, por ka pranuar se janë qëlluar “plumba paralajmërues”. Megjithatë, dëshmia e fundit shënon rastin e parë ku një punonjës amerikan përmendet si i përfshirë drejtpërdrejt në përdorimin e armëve kundër civilëve palestinezë në vendngjarje.
Nga ana tjetër, Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i ka mohuar në mënyrë kategorike akuzat, duke thënë se “asnjë civil nuk është qëlluar ndonjëherë në qendrat e tyre të shpërndarjes së ndihmave”. Ata deklarojnë se veprojnë në një ambient armiqësor, ku shumë aktorë kanë interesa që kjo nismë të dështojë, dhe theksojnë se stafi i tyre është i trajnuar dhe profesionist.
Modeli i ri i shpërndarjes së ndihmave është krijuar për të parandaluar që ushqimet dhe furnizimet të bien në duart e Hamasit. Për këtë arsye, qytetarët detyrohen të ecin në distanca të gjata në terren të hapur për të arritur në qendrat e ndihmës.
GHF pretendon se ka shpërndarë ekuivalentin e më shumë se 50 milionë vakteve ushqimore në Gaza që prej fillimit të operacioneve të saj. (A2 Televizion)