
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban pritet të takohet me Presidentin rus Vladimir Putinin për herë të parë pas më shumë se një viti, sipas raportimeve të medias hungareze.
Sipas mediave të huaja, Orban dhe Putin nuk kanë pasur një takim ballë për ballë që nga korriku i vitit 2024. Edhe ai takim u zhvillua në Moskë.
Ende nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga qeveria hungareze për takimin, shkruan A2 CNN.
Në vend të kësaj, u tha mediave lokale se publiku do të njoftohet për udhëtimet e Orbanit jashtë shtetit "sipas procedurës së zakonshme".
Orban vizitoi Presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij muaji.
Në tetor, dukej sikur Hungaria mund të priste një tjetër samit Trump-Putin. Megjithatë, Trump u tërhoq nga takimi, duke thënë se nuk mendonte se kjo do të çonte në një përparim në bisedimet e paqes.
Këtë javë, në Truth Social, Trump ka sugjeruar se mund të takohet me Putinin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “së shpejti”, por vetëm pasi të arrihet një marrëveshje paqeje. (A2 Televizion)
